Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur të dielën në zonën industriale të Ras Laffan në Katar, ku ndodhet kompleksi më i madh në botë për prodhimin e gazit natyror të lëngshëm.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Katarit, ngjarja ka shkaktuar të paktën 54 të plagosur, ndërsa 18 persona rezultojnë të zhdukur.
Autoritetet bëjnë me dije se shpërthimi ndodhi pas një “incidenti teknik” brenda një prej impianteve të zonës industriale.
Ekipet e Mbrojtjes Civile ndërhynë menjëherë për të vënë situatën nën kontroll dhe për t'u ardhur në ndihmë të lënduarve.
Në një reagim të mëvonshëm, Ministria e Brendshme konfirmoi bilancin paraprak të viktimave, duke shtuar se operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë për gjetjen e 18 personave të zhdukur.
Ras Laffan, i vendosur në bregdetin verior të Katarit, është një nga qendrat më të rëndësishme energjetike në botë dhe zemra e industrisë së gazit të vendit. Shkaqet e plota të incidentit janë ende nën hetim nga autoritetet.



