Papa Leoni XIV vizitoi sot në Stamboll Xhaminë Sulltan Ahmed, e njohur edhe si "Xhamia Blu". Në një njoftim të zyrës së shtypit të Selisë së Shenjtë thuhet se:
"Papa e përjetoi vizitën në xhami në heshtje, me një përqendrim shpirtëror dhe me respekt të thellë për vendin dhe për besimin e atyre që mblidhen në këtë vend në lutje".
Në shenjë respekti kreu i Selisë së Shenjtë hoqi këpucët gjatë hyrjes në objektin e kultit, një gjest që kryhet vazhdimisht nga besimtarët myslimanë gjatë hyrjes në xhami. Papa u shoqërua në objektin e kultit nga myftiu i Stambollit dhe imami i xhamisë.
“Xhamia Blu’, një nga objektet më të rëndësishme të Stambollit, është ndërtuar nga Sulltan Ahmeti në vitin 1617, fare pranë Shën Sofisë.



