
Franca ka vendosur t’i ndalojë hyrjen në territorin e saj ministrit të Brendshëm izraelit, Itamar Ben-Gvir, figurë e ekstremit të djathtë, deklaroi të shtunën ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot.
Ai tha se ky vendim reflekton zemërimin në rritje të shumë qeverive ndaj mënyrës si u trajtua një flotilje aktivistësh që po transportonte ndihma drejt Gazës.
“Nga sot, Itamar Ben-Gvir nuk lejohet të hyjë në territorin francez”, shkroi Barrot në platformën X.
“Së bashku me ministrin e Jashtëm të Italisë, po kërkojmë që Bashkimi Evropian të vendosë sanksione edhe ndaj Itamar Ben-Gvirit”, shtoi ai.
Reagime të forta pati nga qeveritë perëndimore pasi Ben-Gvir publikoi një video ku shfaqej duke ironizuar aktivistët që synonin të dërgonin ndihma humanitare në Gaza, ndërsa ata qëndronin të shtrirë në tokë.
Disa prej aktivistëve deklaruan më vonë se kishin pësuar dhunë fizike gjatë ndalimit, pretendime që u hodhën poshtë nga shërbimi izraelit i burgjeve.
Ben-Gvir u kritikua si nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i Izraelit.
Netanyahu u shpreh se sjellja e Ben-Gvir nuk përfaqësonte vlerat dhe standardet e Izraelit.



