
Kina ka ndërmarrë hapa për të bllokuar blerjen prej 2 miliardë dollarësh nga Meta të startup-it kinez të inteligjencës artificiale “Manus”, në një vendim që reflekton shqetësimet e Pekinit për humbjen e teknologjive kyçe në favor të Shteteve të Bashkuara, në një sfond të përshkallëzimit të garës teknologjike mes dy superfuqive.
Sipas planifikuesit shtetëror kinez, palëve u është kërkuar të anulojnë marrëveshjen pas një hetimi të nisur në fillim të vitit. Ky zhvillim pritet të ndikojë negativisht në ekosistemin e startup-eve të inteligjencës artificiale në Kinë dhe vjen vetëm disa javë përpara takimit të paralajmëruar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping në Pekin, ku pritet të diskutohen mosmarrëveshjet tregtare dhe teknologjike.
Zhbërja e marrëveshjes në praktikë pritet të jetë e ndërlikuar, pasi Meta thuhet se e ka integruar tashmë “Manus” në sistemet e saj dhe drejtues të startup-it i janë bashkuar kompanisë amerikane.
Nga ana e saj, Meta deklaron se transaksioni ka qenë në përputhje të plotë me ligjet në fuqi dhe shpreh pritshmëri për një zgjidhje të çështjes me autoritetet kineze.
“Manus”, i themeluar në Kinë, u bë i njohur për agjentin e tij të inteligjencës artificiale të aftë për të vepruar në mënyrë autonome. Fillimisht i vlerësuar si sukses vendas, startup-i u përball më vonë me kritika publike pasi zhvendosi operacionet në Singapor dhe më pas njoftoi marrëveshjen me Metën, duke u akuzuar në rrjetet sociale kineze si “tradhti teknologjike”.
Autoritetet kineze nisën hetim të shpejtë mbi blerjen në janar, ndërsa më herët raportohet se bashkëthemeluesit e kompanisë janë ndaluar të largohen nga vendi gjatë hetimeve.
Ekspertët paralajmërojnë se një ndërhyrje e tillë e ashpër mund të frenojë sipërmarrjet me ambicie globale, por edhe të nxisë zhvendosjen e mëtejshme të talenteve teknologjike jashtë Kinës që në fazat e hershme të zhvillimit.



