Presidenti Donald Trump ka njoftuar se ushtria amerikane ka kryer një sulm ndaj asaj që ai e quajti një anije të kartelit të drogës venezueliane që ishte duke udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Tre persona u vranë në sulmin e së hënës, sipas Trump, i cili tha se sulmet ndodhën në ujëra ndërkombëtare.
Me urdhrin tim, Forcat Ushtarake Amerikane kryen një sulm të dytë kundër karteleve të trafikimit të drogës dhe narkoterroristëve të identifikuar pozitivisht dhe jashtëzakonisht të dhunshëm në zonën e përgjegjësisë së SOUTHCOM.
Këto kartele jashtëzakonisht të dhunshme të trafikimit të drogës përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së, politikën e jashtme dhe interesat jetësore të SHBA-së”, shkroi Trump në rrjetin social Truth.
Trump postoi një video të një varke që lëkundej në det përpara se të shpërthente në flakë.
Sulmi i së hënës vjen pas një sulmi të ngjashëm në Karaibe që vrau 11 persona më parë po këtë muaj.
Bombardimi i parë e thelloi armiqësinë midis Uashingtonit dhe Karakasit.
Sulmet ngritën shqetësime për shkeljet e së drejtës ndërkombëtare dhe të të drejtave të individëve të synuar, të cilët janë ekzekutuar jashtëgjyqësorisht pa të drejtë për një proces të rregullt ligjor.
Disa kritikë kanë vënë në pikëpyetje pse tregtarët e dyshuar të drogës nuk u arrestuan për t’u përballur me akuza ligjore pasi mbërritën në ujërat territoriale të SHBA-së.



