Një foshnjë nëntëmuajshe dhe nëna e saj janë nxjerrë të gjalla nga rrënojat e një ndërtese të shembur, falë ndërhyrjes së ekipeve amerikane të kërkim-shpëtimit.
Pamjet e operacionit janë publikuar fillimisht nga Task Forca 1 e Kërkimit dhe Shpëtimit Urban të Virxhinias, anëtarët e së cilës morën pjesë në aksionin e shpëtimit.
Sipas organizatës, foshnja dhe nëna e saj u shpëtuan të shtunën dhe u gjetën të gjalla, duke pësuar vetëm lëndime të lehta. Pas nxjerrjes nga rrënojat, ato u transportuan në një vend të sigurt mes duartrokitjeve dhe brohoritjeve të banorëve të mbledhur pranë vendngjarjes.
Pamjet janë shpërndarë edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili shoqëroi publikimin me mesazhin: "Kundër çdo gjase, shpresa vazhdon."



