Franca sekuestron tjetër cisternë të sanksionuar ruse, Moska e cilëson “pirateri ndërkombëtare”

Franca sekuestron tjetër cisternë të sanksionuar ruse, Moska e cilëson “pirateri ndërkombëtare”

Franca ka sekuestruar një tjetër anije cisternë nafte të lidhur me të ashtuquajturën “flota në hije” e Rusisë, duke intensifikuar përpjekjet perëndimore për të goditur rrugët që Moska përdor për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare.

 

Anija “Tagor”, e cila sipas të dhënave të gjurmimit detar kishte lundruar nga porti rus i Umbës dhe ishte regjistruar në Madagaskar, u ndalua në Oqeanin Atlantik nga marina franceze. Bëhet fjalë për konfiskimin e tretë të njohur të një cisterne të tillë nga autoritetet franceze gjatë muajve të fundit.

 

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se operacioni u zhvillua në ujëra ndërkombëtare me mbështetjen e disa partnerëve, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar detar.

 

Është e papranueshme që anijet të anashkalojnë sanksionet ndërkombëtare, të shkelin ligjin e detit dhe të financojnë luftën që Rusia po zhvillon kundër Ukrainës”, deklaroi Macron, duke shtuar se këto mjete lundruese përbëjnë gjithashtu rrezik për sigurinë detare dhe mjedisin.

 

“Tagor” ndodhet në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, pasi dyshohet se është pjesë e rrjetit të tankerëve që përdoren për eksportimin e naftës ruse jashtë kufizimeve ndërkombëtare.

 

Nga ana tjetër, Kremlini reagoi ashpër ndaj operacionit francez. Zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitry Peskov, e cilësoi sekuestrimin si një veprim “të paligjshëm, në kufijtë e piraterisë ndërkombëtare”, duke kundërshtuar pretendimet se ndërhyrja ishte kryer në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

 

Sipas ambasadës ruse në Paris, kapiteni i anijes besohet të jetë shtetas rus. Diplomacia ruse ka kërkuar sqarime nga autoritetet franceze për praninë e mundshme të qytetarëve rusë në ekuipazh, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.

 

Franca ka shtuar presionin ndaj anijeve që transportojnë naftë ruse në kundërshtim me sanksionet, duke argumentuar se shumë prej tyre operojnë me flamuj të rremë, pa sigurime të vlefshme ose pa certifikimet e nevojshme të sigurisë.

 

Në mars, marina franceze sekuestroi një tjetër tanker në Detin Mesdhe, ndërsa në janar ndaloi një anije të ngjashme mes brigjeve të Spanjës dhe Marokut. Po ashtu, Belgjika konfiskoi në mars një tanker të dyshuar për përdorim dokumentesh të falsifikuara dhe flamuri të rremë, me mbështetjen e autoriteteve franceze.

 

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka deklaruar se goditja e “flotës në hije” të Rusisë mbetet një prioritet strategjik, me synimin për të kufizuar të ardhurat që financojnë përpjekjet ushtarake të Kremlinit në Ukrainë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy