Kina ka shënuar një arritje të rëndësishme në programin e saj hapësinor, duke realizuar për herë të parë uljen me sukses të një rakete të ripërdorshme. Lajmi është konfirmuar nga mediat shtetërore kineze.
Sipas Korporatës Kineze të Shkencës dhe Teknologjisë Hapësinore, raketa Long March 10B u lëshua nga provinca Hainan në jug të Kinës në orën 12:15 sipas kohës lokale. Rreth gjashtë minuta pas ndarjes nga faza e sipërme, përforcuesi i saj u kthye në Tokë duke kryer një ulje vertikale mbi një platformë lundruese, ku u rikuperua me sukses.
Ky zhvillim konsiderohet një hap i madh për industrinë hapësinore kineze dhe mund ta afrojë vendin me liderët e këtij sektori, si SpaceX e Elon Musk dhe Blue Origin, kompania e themeluar nga Jeff Bezos.
Tradicionalisht, raketat janë projektuar për një përdorim të vetëm, pasi pjesët e tyre shkëputen dhe shkatërrohen gjatë fluturimit. Ripërdorimi i përforcuesve, që përbëjnë komponentin më të kushtueshëm të raketës, mund të ulë ndjeshëm kostot e lëshimit të satelitëve dhe misioneve hapësinore.
Në vitin 2015, SpaceX realizoi uljen e parë të suksesshme të një rakete Falcon 9 pas një fluturimi orbital, ndërsa Blue Origin e arriti këtë me raketën New Glenn në fund të vitit 2025. Aktualisht, Falcon 9 kryen rreth 150 lëshime në vit, me përforcues që mund të ripërdoren dhjetëra herë.
Kina bëri një provë të parë në shkurt me raketën Long March 10A, e cila arriti një zbritje të kontrolluar, por përfundoi duke u rrëzuar pranë platformës së rikuperimit.
Long March 10B ka aftësinë të transportojë të paktën 16 tonë ngarkesë në orbitën e ulët të Tokës dhe shpesh krahasohet me Falcon 9. Megjithatë, ndryshe nga raketa e SpaceX, ajo nuk ulet në mënyrë autonome mbi një platformë tokësore apo një anije-drone. Sistemi kinez përdor “grepa uljeje”, të cilët kapin një rrjetë të vendosur mbi një platformë lundruese.
Pas publikimit të këtij suksesi, aksionet e kompanive kineze të sektorit hapësinor u rritën ndjeshëm. China Spacesat dhe China Satellite Communications regjistruan secila një rritje prej 10%, që përfaqëson kufirin maksimal ditor të lejuar nga rregulloret e tregut financiar në Kinë.



