Vitet 2015 dhe 2025 ishin më të ngrohtat që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave në vitin 1850, njoftoi sot Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), agjenci e OKB-së, ku viti 2025 renditet i dyti ose i treti me rreth 1.43 gradë Celsius mbi mesataren para-industriale.
Ky përfundim konfirmon një raport të mëparshëm të WMO-së se viti 2025 ishte një nga tre vitet më të ngrohta të regjistruara dhe se viti 2024 ishte viti më i ngrohtë me rreth 1.55 gradë Celsius mbi mesataren para-industriale.
“Klima globale është në gjendje emergjence. Toka po shtyhet përtej kufijve të saj. Të gjithë treguesit kryesorë të klimës janë në të kuqe”, paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, me rastin e publikimit të raportit vjetor të WMO-së mbi Gjendjen e Klimës.
Për herë të parë, ky raport përfshin ndër treguesit kryesorë të klimës çekuilibrin e energjisë së Tokës, i cili pasqyron shkallën me të cilën energjia hyn dhe del nga sistemi planetar.
Në një klimë të qëndrueshme, sasia e energjisë diellore që hyn është afërsisht e barabartë me sasinë e energjisë që del jashtë. Por ky ekuilibër po prishet nga përqendrimet në rritje të gazrave serrë (CO2, metani dhe oksidi i azotit), të cilat shkaktojnë ngrohjen e vazhdueshme të atmosferës dhe oqeaneve dhe shkrirjen e shtresave të akullit.
Ky çekuilibër është përkeqësuar që nga fillimi i vëzhgimeve në vitin 1960, dhe veçanërisht në 20 vitet e fundit, duke arritur një “rekord të ri në vitin 2025”, konstaton WMO.
“Aktivitetet njerëzore po e prishin gjithnjë e më shumë ekuilibrin natyror dhe do të na duhet të jetojmë me këto pasoja për qindra, madje mijëra vjet”, paralajmëron sekretarja e përgjithshme e organizatës, Celeste Saulo.
Në raportin e saj, WMO konfirmon se vitet 2015 deri në 2025 janë 11 vitet më të ngrohta të regjistruara ndonjëherë.
Viti 2024, i cili filloi nën ndikimin e një fenomeni të fortë El Nino, mbetet viti më i ngrohtë i vëzhguar ndonjëherë, thekson më tej organizata.
Ngjarjet ekstreme që ndodhin në të gjithë botën, duke përfshirë episode të nxehtësisë intensive, reshjeve të dendura të shiut dhe cikloneve tropikale, kanë shkaktuar përçarje dhe dëme dhe kanë nxjerrë në pah cenueshmërinë e ekonomive dhe shoqërive tona të ndërlidhura.
Ngrohja e oqeaneve dhe shkrirja e akullit po shkaktojnë një rritje afatgjatë të nivelit mesatar global të detit, i cili është përshpejtuar që nga fillimi i matjeve satelitore në vitin 1993. Deri në vitin 2025, ky nivel parashikohej të ishte rreth 11 centimetra më i lartë se në fillim të mbajtjes së të dhënave.
91% e nxehtësisë së tepërt ruhet në oqean, i cili vepron si një tampon kundër rritjes së temperaturave në tokë.
Megjithatë, sipas WMO-së, përmbajtja e nxehtësisë së oqeanit arriti një rekord të ri në vitin 2025 dhe shkalla e ngrohjes u dyfishua midis periudhave 1960-2005 dhe 2005-2025.
Njëkohësisht, shtresat e akullit të Antarktidës dhe Groenlandës kanë humbur masë të konsiderueshme, dhe shtrirja mesatare vjetore e akullit detar të Arktikut në vitin 2025 renditet ndër të parat ose të dytat më të ulëta të matura ndonjëherë që nga fillimi i epokës së satelitëve, vëren agjencia e Kombeve të Bashkuara.



