
Ish-presidenti amerikan Joe Biden paditi Departamentin Amerikan të Drejtësisë, në përpjekje për të ndaluar publikimin e disa audio-incizimeve dhe transkripteve të intervistave private të realizuara gjatë viteve 2016-2017 me shkrimtarin e tij, Mark Zwonitzer.
Sipas mediave amerikane, Departamenti i Drejtësisë planifikon t’i dorëzojë materialet deri më 15 qershor Komisionit të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe organizatës konservatore The Heritage Foundation, pas kërkesave të bëra në kuadër të ligjit për qasjen në dokumente publike.
Audio-incizimet lidhen me intervistat që Biden kishte zhvilluar për librin e tij autobiografik “Promise Me, Dad”, ndërsa më vonë ato u morën nga hetuesit federalë gjatë hetimit të Prokurorit Special Robert Hur për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara nga Biden pas largimit nga posti i zëvendëspresidentit. Hetimi përfundoi pa ngritjen e akuzave penale ndaj tij.
Në padinë e depozituar në gjykatën federale në Washington, avokatët e Biden argumentojnë se publikimi i materialeve përbën shkelje të privatësisë dhe abuzim me informacionet personale të mbledhura gjatë një hetimi penal.
Ata theksojnë se bisedat janë zhvilluar në shtëpinë private të Biden dhe kishin karakter personal e familjar, përfshirë diskutime mbi ndarjen nga jeta të djalit të tij, Beau Biden.
Sipas ekipit ligjor të ish-presidentit, kërkesa e Kongresit për publikimin e materialeve është vetëm një “pretekst politik” për të anashkaluar kufizimet ligjore që mbrojnë dokumentet hetimore dhe komunikimet private.
Çështja ka marrë dimension politik në SHBA. Republikanët kanë insistuar prej kohësh që materialet duhet të bëhen publike, duke pretenduar se ato mund të hedhin dritë mbi gjendjen mendore dhe mënyrën se si Biden trajtonte informacionet e klasifikuara.
Ndërkohë, demokratët argumentojnë se publikimi i tyre do të krijonte një precedent të rrezikshëm për privatësinë dhe hetimet federale.



