Komisioni i Irlandës për Mbrojtjen e të Dhënave (DPC) ka gjobitur gjigantin teknologjik Google me më shumë se 400 milionë euro (345 milionë paund) për shkak të mënyrës së paligjshme dhe manipulative të përpunimit të të dhënave të vendndodhjes së përdoruesve, raporton theGuardian.
Rregullatori europian doli në përfundimin se Google kishte përdorur "truke" dhe dizajne manipulative për t'i shtyrë përdoruesit të pranonin gjurmimin e vazhdueshëm në telefonat e tyre celularë, shpesh pa qenë plotësisht të vetëdijshëm për këtë.
Gjoba, e vendosur nga Komisioni i Mbrojtjes së të Dhënave (DPC) i Irlandës, vjen pas ankesave nga organizata të shumta evropiane të konsumatorëve se Google po ndiqte çdo hap që ndërmerrnin përdoruesit.
Procesi nisi gjashtë vjet më parë, i nxitur nga një hulumtim i vitit 2018 nga agjencia norvegjeze e konsumatorëve (Forbrukerrådet).
Ky studim ekspozoi se si të dhënat e vendndodhjes mund të keqpërdoren për të zbuluar informacione tejet private si besimet fetare, prirjet politike, gjendjen shëndetësore apo orientimin seksual.
Hetimi i DPC-së analizoi praktikat e Google midis 25 majit 2018 dhe 4 shkurtit 2020, duke u fokusuar te funksionet si "Aktiviteti në ueb dhe aplikacione", "Historiku i vendndodhjes" dhe "Saktësia e vendndodhjes".
Zyrtarët e DPC-së nënvizuan se gjeolokacioni është një nga format më pushtuese të mbikëqyrjes, ku përdoruesit manipuloheshin për të bërë zgjedhje që nuk do t'i dëshironin, me qëllim që kompania t'i shndërronte ato në reklama të shpërndara me saktësi.
Një zëdhënës i kompanisë u mbrojt duke thënë se ky vendim lidhet me politika historike të vjetra, të cilat janë përditësuar që prej vitit 2019 e tutje përmes mjeteve të reja që e bëjnë menaxhimin e privatësisë më të thjeshtë.
Megjithëse Organizata Evropiane e Konsumatorëve (BEUC) e përshëndeti gjobën, Drejtori i Përgjithshëm i saj, Agustín Reyna, kritikoi ashpër vonesën e gjatë të hetimit, duke u shprehur se "zbatimi i vonuar i ligjit mund të jetë po aq i dëmshëm sa mungesa e zbatimit fare".



