Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka pranuar se ekzistojnë mospajtime mes Uashingtonit dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke deklaruar se lideri izraelit ka bërë “disa gabime” gjatë konfliktit në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për CBS, pjesë të së cilës u publikuan të mërkurën, Vance theksoi se Izraeli mbetet një aleat shumë i afërt i SHBA-së, por interesat e dy vendeve nuk përputhen gjithmonë.
“Ka raste kur interesat tona përkojnë plotësisht dhe raste kur ato ndryshojnë.
Ajo që kam vërejtur te kryeministri është se ai mbron me forcë interesat e vendit të tij. Ndonjëherë jemi në të njëjtën linjë dhe ndonjëherë jo”, u shpreh ai.
Deklaratat vijnë pasi Netanyahu autorizoi sulme ndaj Iranit gjatë fundjavës, si kundërpërgjigje ndaj lëshimit të raketave nga Teherani, një veprim që sipas mediave amerikane nuk përputhej me qëndrimin e presidentit amerikan.
Vance nënvizoi se administrata amerikane do të vendosë gjithmonë interesat kombëtare të SHBA-së në plan të parë.
“Izraeli ka qenë një partner i shkëlqyer në shumë aspekte, por ne duhet të fokusohemi edhe te ajo që është në interesin më të mirë të Amerikës.
Kur interesat tona ndryshojnë, ne duhet të zgjedhim anën e popullit amerikan dhe këtë e bëjmë gjithmonë”, deklaroi ai.
I pyetur nëse Netanyahu kishte gabuar në trajtimin e çështjes së Iranit, Vance u përgjigj se kryeministri izraelit “me siguri ka bërë disa gabime”, por refuzoi të japë detaje, duke shtuar se disa diskutime është më mirë të mbeten private.



