Balena me gungë e cila u bë e njohur pas një operacioni të madh shpëtimi në Gjermani dy javë më parë, është gjetur e ngordhur pranë ishullit danez Anholt, në Detin Kattegat mes Danimarkës dhe Suedisë. Autoritetet daneze konfirmuan se bëhet fjalë për të njëjtën balenë, të cilës mediat gjermane i kishin vendosur nofkën “Timmy”.
“Tani mund të konfirmohet se balena me gungë e bllokuar pranë Anholtit është e njëjta balenë që më parë kishte mbetur në Gjermani dhe ishte subjekt i përpjekjeve të shpëtimit”, tha Jane Hansen, menaxhere e divizionit në Agjencinë Daneze për Mbrojtjen e Mjedisit.
Sipas autoriteteve, kufoma e balenës u pa fillimisht të enjten në brigjet e ishullit danez, por identifikimi u bë vetëm pasi një punonjës i Agjencisë Daneze të Natyrës arriti të rikuperonte pajisjen gjurmuese që ndodhej ende e vendosur në trupin e saj.
“Kushtet e sotme i lejuan një punonjësi vendas nga Agjencia Daneze e Natyrës të gjente dhe të rikuperonte një pajisje gjurmuese që ishte ende e bashkangjitur në shpinën e balenës. Vendndodhja dhe pamja e pajisjes konfirmojnë se është e njëjta balenë e parë dhe e trajtuar më parë në ujërat gjermane”, shtoi Hansen.
Autoritetet daneze deklaruan se aktualisht nuk ka plane për ta larguar balenën nga zona apo për të kryer një autopsi. Qytetarëve u është bërë thirrje të mos i afrohen kafshës, pasi ajo mund të bartë sëmundje të transmetueshme dhe dekompozimi i trupit krijon gazra që mund të jenë të rrezikshëm.
Balena ishte parë për herë të parë më 23 mars pranë qytetit gjerman të Lubeckut, në brigjet e Detit Baltik, ku kishte mbetur e bllokuar në një breg ranor. Pas disa përpjekjeve të dështuara për shpëtim, autoritetet gjermane kishin deklaruar se do të hiqnin dorë nga operacioni.
Megjithatë, dy sipërmarrës të pasur, Karin Walter-Mommert dhe Walter Gunz, vendosën të financonin një mision të ri shpëtimi, me një kosto të vlerësuar prej rreth 1.5 milion eurosh. Plani parashikonte joshjen e balenës drejt një barke të posaçme të mbushur me ujë, për ta transportuar më pas drejt habitatit të saj natyror.
Operacioni arriti ta rikthente balenën në det më 2 maj, por shumë ekspertë kishin kritikuar planin, duke paralajmëruar se ai mund t’i shkaktonte më shumë vuajtje kafshës.



