Zyrtarë të Food and Drug Administration (FDA) kanë bllokuar publikimin e disa studimeve që mbështesnin sigurinë e vaksinave të përdorura gjerësisht kundër COVID-19 dhe herpesit.
Lajmin e konfirmoi një zëdhënës i Department of Health and Human Services.
Studimet, të financuara me miliona dollarë fonde publike, janë realizuar nga shkencëtarë të vetë agjencisë, të cilët në bashkëpunim me kompani të analizës së të dhënave shqyrtuan miliona kartela pacientësh.
Sipas gjetjeve të tyre, efektet anësore serioze nga këto vaksina rezultonin të ishin shumë të rralla.
Në tetor, shkencëtarëve iu kërkua të tërhiqnin dy studime mbi vaksinat kundër COVID-19, të cilat tashmë ishin pranuar për publikim në revista mjekësore.
Ndërsa në shkurt, drejtues të lartë të FDA-së nuk miratuan dorëzimin e përmbledhjeve për studime mbi Shingrix, një vaksinë kundër herpesit, në një konferencë të rëndësishme për sigurinë e barnave.
Bllokimi i këtyre publikimeve shihet si pjesë e një qasjeje më të gjerë të administratës për të kufizuar aksesin ndaj vaksinave.
Sipas raportimeve, janë reduktuar ndjeshëm fondet për kërkime në këtë fushë, janë publikuar informacione të pakonfirmuara që ngrenë dyshime mbi vaksinat, si dhe janë penguar publikime të tjera që mbështesin sigurinë e tyre, përfshirë edhe një studim mbi efektivitetin e vaksinave kundër COVID-19 nga shkencëtarë të Centers for Disease Control and Prevention.
Lidhur me tërheqjen e studimeve për sigurinë e vaksinave kundër COVID-19, zëdhënësi i Departamentit të Shëndetësisë, Andrew Nixon, deklaroi se vendimi u mor pasi autorët kishin nxjerrë përfundime të gjera që nuk mbështeteshin plotësisht nga të dhënat.
Ai theksoi se FDA veproi për të mbrojtur integritetin e procesit shkencor dhe për të siguruar që çdo publikim i lidhur me agjencinë të përmbushë standardet e larta të saj.



