Islanda do të mbajë referendum më 29 gusht për të vendosur nëse do të rifillojë bisedimet e bllokuara për t’u bashkuar me Bashkimin Europian, tha qeveria e saj të premten.
Kryeministrja islandeze Kristrun Frostadottir, e cila njoftoi datën në një konferencë për mediat në Reykjavik, tha se votimi më në fund do të zgjidhte një debat që ka qenë pezull mbi kombin islandez.
Vendi arktik aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009 mes një krize financiare, por i ngriu bisedimet në vitin 2013 pas një mosmarrëveshjeje mbi politikën e peshkimit dhe e tërhoqi zyrtarisht aplikimin e tij në vitin 2015.
Është anëtare e Zonës Ekonomike Evropiane dhe pjesë e zonës së udhëtimit të lirë Shengen.
Në muajt e fundit, Islanda e cila zë një pozicion strategjik të rëndësishëm në Arktik, por nuk ka ushtri të përhershme kishte shqyrtuar mundësinë e përshpejtimit të një referendumi mbi temën e ringjalljes së bisedimeve.
Sondazhet tregojnë se një shumicë e qartë e islandezëve mbështesin mbajtjen e një referendumi për rifillimin e bisedimeve, megjithëse popullsia është e ndarë në mënyrë më të barabartë nëse Islanda duhet t’i bashkohet Bashkimit Europian.
Komisionerja e Zgjerimit e BE-së, Marta Kos, e theksoi tërheqjen e bllokut si garantuese e sigurisë në një kohë trazirash gjeopolitike.
“Një vendim i rëndësishëm tani i pret popullit islandez. Në një botë që po ndryshon me shpejtësi, Bashkimi Evropian ofron një spirancë në një bashkësi vlerash, prosperiteti dhe sigurie”, tha Kos të premten në një postim në X.



