
Një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, po kushtëzohet nga shtetet e bashkuara të cilat ofrojnë garancinë e sigurisë për paqe me kushtin që Kievi t‘i japë të gjithë rajonin lindor të Donbasit Rusisë. Këto deklarata janë bërë nga president i Ukrainës Volodymyr Zelensky për Reuters.
“Amerikanët janë të përgatitur të finalizojnë këto garanci në një nivel të lartë sapo Ukraina të jetë gati të tërhiqet nga Donbasi. Lindja e Mesme padyshim ka një ndikim te Presidenti Trump dhe mendoj se edhe te hapat e tij të ardhshëm. Presidenti Trump, për fat të keq, sipas mendimit tim, ende zgjedh një strategji për të ushtruar më shumë presion mbi palën ukrainase."
Zelensky paralajmëroi se një tërheqje nga Dondbasi do të vinte në rrezik sigurinë jo vetëm të Ukrainës, por edhe të Evropës, duke i dorëzuar Rusisë pozicionet e forta mbrojtëse të rajonit. Sipas Reuters, Presidenti rus Vladimir Putin këmbëngul se kontrolli i të gjithë Donbasit është një element thelbësor i qëllimeve të tij të luftës, të cilat Moska do t’i arrinte në fushën e betejës nëse nuk do të mund ta bënte këtë në tryezën e negociatave.
Në lidhje me arritjen e paqes në Ukrainë, që nga nisja e konfliktit në shkurt të vitit 2022, SHBA-të, Rusia dhe Ukraina kanë zhvilluar tri raunde bisedimesh të nivelit të lartë në Abu Dhabi dhe Gjenevë këtë vit, në përpjekje për arritur dakordësinë për ti dhënë fund konfliktit më të përgjakshëm të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore, i cili ka shkatërruar pjesë të mëdha të Ukrainës dhe ka vrarë qindra mijëra njerëz.



