Ish-presidenti i ekstremit të djathtë i Brazilit, Jair Bolsonaro është arrestuar në vilën e tij në kryeqytetin Brasilia, pas dyshimeve se ai ishte gati të arratisej në një ambasadë të huaj për të shmangur burgun për organizimin e një grushti shteti ushtarak.
Në një deklaratë të shkurtër, policia federale konfirmoi se oficerët kishin ekzekutuar një urdhër arresti parandalues me kërkesë të gjykatës supreme.
Politikani 70-vjeçar u dërgua në një bazë policore federale, 7 milje larg pallatit presidencial ku ai qëndroi nga viti 2019 deri në vitin 2022, kur humbi zgjedhjet dhe u përpoq të niste një grusht shteti ushtarak.
Arrestimi i Bolsonaros, i cili ndodhej në arrest shtëpie që nga gushti, u urdhërua nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes, si rezultat i frikës se ish-presidenti mund të strehohet ë një nga shumë komplekset diplomatike të Brasilias për të shmangur ndëshkimin për dështimin e marrjes së pushtetit.
Në shtator, Bolsonaro u dënua me 27 vjet e tre muaj burg për organizimin e një grushti shteti për të ndaluar fituesin e zgjedhjeve të vitit 2022, Luiz Inacio Lula da Silva, të merrte detyrën. Megjithatë, gjykata ende nuk ka urdhëruar burgosjen e Bolsonaros për këto krime, ndërsa po zhvillohen një sërë procedurash ligjore dhe apelimesh.



