‘Lini telefonat mënjanë’, Suedia thirrje prindërve: Përdorimi i ekranit po ndikon te fëmijët

‘Lini telefonat mënjanë’, Suedia thirrje prindërve: Përdorimi i ekranit po ndikon te fëmijët

Agjencia e Shëndetit Publik në Suedi u ka bërë thirrje prindërve të kufizojnë përdorimin e telefonave celularë gjatë kohës që kalojnë me fëmijët, pas publikimit të një studimi që evidenton ndikimin e zakoneve dixhitale të të rriturve në zhvillimin dhe sjelljen e fëmijëve.

 

Në udhëzimet e reja të publikuara të hënën, autoriteti shëndetësor rekomandon që prindërit të lënë telefonin mënjanë kur janë me fëmijët dhe ta përdorin atë vetëm kur është e nevojshme ose kur përfshihen së bashku në aktivitetet dixhitale.

 

“Lëreni telefonin mënjanë kur jeni me fëmijën tuaj. Përdoreni vetëm nëse keni nevojë ose kur e përdorni së bashku”, thuhet në deklaratën e agjencisë.

 

Sipas autoriteteve, sjellja e prindërve luan një rol kyç në formimin e zakoneve të fëmijëve. Të rriturit që krijojnë marrëdhënie të shëndetshme me ekranet ndikojnë pozitivisht edhe te fëmijët e tyre.

 

Agjencia rekomandon gjithashtu që familjet të krijojnë “zona pa ekrane” brenda shtëpisë, si dhoma e gjumit apo tryeza e ngrënies, duke inkurajuar më shumë komunikim dhe ndërveprim familjar. Një tjetër këshillë lidhet me privatësinë e fëmijëve në internet, ku prindërit ftohen të mendojnë me kujdes përpara se të publikojnë fotografi ose video të tyre në rrjetet sociale.

 

Studimi u realizua pas një kërkese të qeverisë suedeze, e cila ngarkoi Agjencinë e Shëndetit Publik të analizonte ndikimin e kohës që prindërit kalojnë para ekraneve në shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve.

 

Gjetjet tregojnë se përdorimi i tepërt i pajisjeve dixhitale nga prindërit mund të dëmtojë cilësinë e ndërveprimit me fëmijët. Po ashtu, studiuesit konstatuan se fëmijët e prindërve që kalojnë shumë kohë para ekranit kanë më shumë gjasa të zhvillojnë zakone të ngjashme.

 

 

Suedia ka vendosur prej kohësh udhëzime për kufizimin e kohës para ekranit për fëmijët. Rekomandimet parashikojnë që fëmijët nën moshën dy vjeç të mos përdorin fare ekrane për qëllime argëtimi, ndërsa kufijtë rriten gradualisht sipas grupmoshave.

 

Autoritetet këshillojnë gjithashtu shmangien e plotë të pajisjeve dixhitale në orët para gjumit dhe mbajtjen e telefonave, tabletëve dhe kompjuterëve jashtë dhomës së gjumit gjatë natës.

 

Paralelisht, Suedia po zbaton edhe një ndalim kombëtar të telefonave inteligjentë në shkolla. Duke filluar nga viti shkollor 2026-2027, nxënësit deri në klasën e nëntë, ose deri në moshën 15-16 vjeç, nuk do të lejohen të përdorin telefona celularë gjatë qëndrimit në shkollë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy