Tornado të fuqishëm goditën të premten shtetin e Michigan, në veri të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar të paktën katër viktima dhe disa të plagosur, sipas autoriteteve dhe mediave lokale.
Sipas zyrës së shefit të policisë së qarkut Branch, një tornado pranë qytetit Union City, në pjesën jugore të Michigan-it, shkaktoi tre të vdekur dhe plagosi 12 persona. Rreth 80 kilometra në perëndim, autoritetet e qarkut Cass njoftuan një viktimë tjetër dhe “disa të plagosur” pas goditjes së një tornadoje në atë zonë.
Shërbimi Meteorologjik Kombëtar konfirmon të paktën një tornado në pjesën jugore të Michigan-it dhe paralajmëron për stuhi të tjera, që mund të prekin qytete të mëdha.
Guvernatorja Gretchen Whitmer ka aktivizuar një qendër operacionale emergjente për të koordinuar ndihmën dhe reagimin ndaj motit të keq. Shteti i Michigan-it regjistron mesatarisht 15 tornado në vit, shumë më pak se Texas-i me 155 dhe Kansas-i me 96 tornado, sipas meteorologut David Roth.



