Hayden Panettiere, e njohur për rolet në “Heroes” dhe “Nashville”, ndahet nga jeta në moshën 36-vjeçare

Hayden Panettiere, e njohur për rolet në “Heroes” dhe “Nashville”, ndahet nga jeta në moshën 36-vjeçare

Hayden Panettiere, aktorja e njohur për rolet e saj në serialet televizive “Heroes” dhe “Nashville”, ka ndërruar jetë në moshën 36-vjeçare.

 

Lajmi u konfirmua nga përfaqësuesi i saj për ABC News dhe më pas nga mediat amerikane. Deri më tani, nuk është bërë i ditur shkaku i vdekjes.

“Me trishtim të thellë ndajmë lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të Hayden. Ajo ishte një dritë e jashtëzakonshme dhe një forcë e natyrës, që solli dashuri dhe gëzim të pafund për të gjithë ata që e njohën dhe për miliona njerëz që e ndoqën në ekran”, u shpreh babai i saj, Skip Panettiere.

Familja ka kërkuar privatësi në këtë moment të vështirë, ndërsa përpiqet të përballojë humbjen.

 

E lindur në vitin 1989, Panettiere e nisi karrierën shumë herët, duke u shfaqur në një reklamë televizive që në moshën 11-muajshe. Debutimin në kinema e bëri si zëri i personazhit Dot në filmin e animuar të Pixar, “A Bug’s Life”, kur ishte vetëm nëntë vjeçe. Më pas, ajo u shfaq në filma si “Remember the Titans” dhe “Tiger Cruise”.

 

 

Fama ndërkombëtare do të vinte në moshën 17-vjeçare, me rolin e Claire Bennet në serialin “Heroes”. 

Personazhi i saj, një vajzë me aftësi të jashtëzakonshme për t’u rigjeneruar, u kthye në një prej figurave më të njohura të serialit, i cili u transmetua për katër sezone, nga viti 2006 deri në vitin 2010.

 

Një tjetër rol i rëndësishëm në karrierën e saj ishte ai i Juliette Barnes në serialin muzikor “Nashville”.

 Për këtë interpretim, Panettiere mori dy nominime për çmimin Golden Globe. Ajo interpretoi gjithashtu disa prej këngëve të serialit, të cilat u renditën në klasifikimet e Billboard.

 

Panettiere u shfaq edhe në filmat e serisë “Scream”, përfshirë “Scream 4” në vitin 2011 dhe “Scream VI” në vitin 2023.

 

Jeta e saj personale u shoqërua edhe me periudha të vështira. Në vitin 2014, ajo u bë nënë e një vajze, Kaya, nga marrëdhënia me ish-të fejuarin e saj, ish-kampionin e botës në boksin e peshave të rënda, Wladimir Klitschko.

 

Panettiere foli publikisht për betejën e saj me depresionin pas lindjes, varësinë dhe vështirësitë me shëndetin mendor. Në vitin 2015, ajo hyri në rehabilitim gjatë kohës që xhironte “Nashville”. 

 

Në vitin 2018, kujdestaria e vajzës së saj kaloi te Klitschko, ndërsa Panettiere u përqendrua në rikuperimin e saj.

 

Në vitin 2022, ajo foli për këtë periudhë të jetës së saj, duke e përshkruar si një rrugëtim të vështirë, por që i kishte dhënë mundësinë për një “shans të dytë”.

 

Në maj të këtij viti, Panettiere publikoi kujtimet e saj me titull “This Is Me: A Reckoning”, ku rrëfeu për famën, amësinë, depresionin pas lindjes, varësinë dhe rrugëtimin drejt rikuperimit.

 

Pak muaj para ndarjes nga jeta, ajo foli edhe për marrëdhënien me vajzën e saj, duke shprehur dëshirën që në të ardhmen të kishin një lidhje edhe më të fortë.

 

Hayden Panettiere la pas babain e saj, Skip Panettiere, nënën Lesley Vogel dhe vajzën Kaya.

 

Vëllai i saj, Jansen Panettiere, ndërroi jetë në vitin 2023, në moshën 28-vjeçare, për shkak të një zmadhimi të zemrës dhe komplikacioneve të lidhura me valvulën aortale.

 

Me një karrierë që nisi që në fëmijëri dhe përfshiu televizionin, kinemanë dhe muzikën, Hayden Panettiere mbetet e njohur veçanërisht për rolet e saj në “Heroes”, “Nashville” dhe serinë “Scream”.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy