Charles III pritet të mbajë një fjalim historik në një mbledhje të përbashkët të Kongresit Amerikan gjatë vizitës së tij shtetërore në Shtetet e Bashkuara, ndërsa gjithashtu do të zhvillojë takime private me Presidentin amerikan Donald Trump, njoftoi Pallati Buckingham.
Vizita shtetërore, e planifikuar për periudhën 27–30 prill, do të përfshijë ndalesa në Uashington D.C., Nju Jork dhe Virxhinia, dhe vjen në kuadër të përkujtimit të 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së.
Sipas pallatit mbretëror, programi synon të theksojë dhe forcojë marrëdhëniet historike mes dy vendeve, përfshirë bashkëpunimin ekonomik, të sigurisë dhe kulturor.
Gjatë mbërritjes në SHBA, mbreti dhe Mbretëresha Camilla do të takohen privatisht me Presidentin Trump dhe Zonjën e Parë Melania Trump, përpara se të marrin pjesë në një ceremoni zyrtare mirëseardhjeje dhe aktivitete shtetërore, përfshirë një darkë zyrtare.
Një nga momentet më të rëndësishme të vizitës do të jetë fjalimi i Charles III në Kongres, duke e bërë atë monarkun e dytë britanik në histori që i drejtohet këtij institucioni, pas Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 1991.
Vizita vjen në një periudhë delikate për marrëdhëniet transatlantike, pas tensioneve të fundit politike mes Londrës dhe Uashingtonit, por autoritetet britanike theksojnë se ajo ka karakter ceremonial dhe diplomatik, duke shmangur çështjet e debatit politik.
Pas Uashingtonit, çifti mbretëror do të udhëtojë drejt Nju Jorkut dhe Virxhinias për aktivitete përkujtimore, kulturore dhe mjedisore.



