Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se lufta aktuale mund të përfundojë brenda “dy deri në tre javësh”, ndërsa Irani shfaq një qëndrim krejtësisht të kundërt, duke paralajmëruar për një konflikt të zgjatur.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha në një intervistë për Al Jazeera se vendi i tij është i përgatitur për “të paktën gjashtë muaj” luftë, duke theksuar se Teherani nuk vendos kufizime kohore për mbrojtjen e tij.
“Ne nuk caktojmë asnjë afat për mbrojtjen e vetes. Do ta mbrojmë vendin dhe popullin tonë për aq sa është e nevojshme dhe me çdo mjet të kërkuar”, u shpreh Araghchi, duke shtuar se përfundimi i konfliktit duhet të sjellë paqe të qëndrueshme në të gjithë rajonin.
Deklaratat vijnë në një kohë kur Trump ka pretenduar se SHBA-të janë në “diskutime serioze” me një “regjim të ri dhe më të arsyeshëm” në Iran. Megjithatë, Araghchi mohoi ekzistencën e negociatave të drejtpërdrejta mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Ai konfirmoi se komunikimi ka ndodhur vetëm në mënyrë indirekte, përmes ndërmjetësve, përfshirë mesazhe të marra nga i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi për Fox News se “po shkëmbehen mesazhe” mes dy vendeve dhe se ekziston mundësia për një takim të drejtpërdrejtë në të ardhmen.
Irani gjithashtu ka hedhur poshtë një propozim prej 15 pikash nga SHBA-të për përfundimin e luftës, duke e cilësuar atë si “të tepërt, joreal dhe të paarsyeshëm”. Sipas Araghchi, ndryshimi i qasjes së Uashingtonit mbetet thelbësor për çdo progres diplomatik.



