Sulmet ajrore të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kundër Iranit përbëjnë shkelje të ligjit ndërkombëtar, deklaroi ministri zviceran i Mbrojtjes Martin Pfister në një intervistë të publikuar të dielën në gazetën zvicerane SonntagsZeitung.
Deklarata e tij e vendos Zvicrën mes vendeve evropiane që kanë shprehur shqetësime për bazën ligjore të këtij konflikti.
Pfister theksoi se qeveria zvicerane e konsideron ofensivën ushtarake si një shkelje të rregullave themelore të së drejtës ndërkombëtare.
Këshilli Federal është i mendimit se sulmi ndaj Iranit përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar. Sipas këndvështrimit tonë, kjo përbën shkelje të ndalimit të përdorimit të forcës.
Sipas tij, sulmet nga ajri të kryera nga SHBA-ja dhe Izraeli bien ndesh me parimin bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara që ndalon përdorimin e forcës kundër një shteti tjetër, përveç rasteve kur ekziston autorizim nga Këshilli i Sigurimit i Organizata e Kombeve të Bashkuara ose kur një shtet vepron në vetëmbrojtje.
Pfister theksoi se shkeljet nuk i atribuohen vetëm një pale.
Amerikanët dhe Izraeli kanë sulmuar Iranin nga ajri. Duke vepruar kështu, ata ashtu si edhe Irani, kanë shkelur ligjin ndërkombëtar.
Ministri zviceran bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve dhe për përpjekje diplomatike për të mbrojtur popullsinë civile dhe për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Edhe Spanja ka dënuar bombardimet amerikano-izraelite ndaj Iranit, duke i cilësuar ato si të pamatura dhe të paligjshme, ndërsa shqetësimi në Evropë po rritet për pasojat që mund të ketë për stabilitetin global dhe për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.



