Autoritetet suedeze kanë nisur një hetim ndaj një anijeje mallrash e cila po lundronte në Detin Baltik, pasi dyshohet se po transportonte grurë të vjedhur. Zyrtarët suedezë konfirmuan të shtunën se anija është ndaluar për kontroll dhe po hetohet për aktivitetet e saj.
Gjatë një konference për mediat, Roja Bregdetare e Suedisë bëri të ditur se pjesa më e madhe e ekuipazhit të anijes “Caffa” është me shtetësi ruse.
Sipas agjencisë suedeze të lajmeve TT, anija gjendet gjithashtu në listën e sanksioneve të vendosura nga Ukraina.
Raportohet se “Caffa” dyshohet të ketë lundruar nën një flamur të rremë në momentin kur autoritetet suedeze e ndaluan dhe hipën në bord për kontroll.
Ngjarja ndodhi të premten në ujërat territoriale të Suedisë, ndërsa në atë kohë anija përdorte flamurin e Guinesë.
Sipas raportimeve, autoritetet janë shprehur të shqetësuara edhe për gjendjen teknike të anijes dhe aftësinë e saj për të lundruar në mënyrë të sigurt. Për këtë çështje, një person është vënë nën hetim penal, ndërsa detaje të tjera për anijen dhe ekuipazhin e saj nuk janë bërë ende publike.
Vitin e kaluar, Suedia njoftoi se do të forcojë kontrollet e sigurisë për anijet e huaja që kalojnë nëpër ujërat e saj. Kjo masë synon të rrisë mbikëqyrjen ndaj të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë, e cila sipas autoriteteve përdoret për transportin e naftës, gazit apo edhe të drithërave të vjedhura nga Ukraina.
Sipas të dhënave, mosha mesatare e anijeve që përbëjnë këtë flotë është rreth 18 vjet. Kjo i afron ato drejt fundit të jetëgjatësisë së tyre dhe i bën më të rrezikuara ndaj aksidenteve, veçanërisht në rastet kur mirëmbajtja nuk kryhet në mënyrë të duhur.
Për të përforcuar kontrollet, qeveria në Stokholm u ka ngarkuar Rojës Bregdetare dhe Administratës Detare Suedeze detyrën që të mbledhin informacione mbi sigurimin jo vetëm të anijeve që ndalojnë në portet suedeze, por edhe të atyre që thjesht kalojnë përmes ujërave territoriale ose zonës ekskluzive ekonomike të vendit.
Megjithatë, autoritetet suedeze nuk kanë konfirmuar ende nëse anija “Caffa” konsiderohet pjesë e të ashtuquajturës flotë në hije të Rusisë.



