Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO) e OKB-së ka pezulluar operacionin për evakuimin e më shumë se 11 mijë marinarëve të bllokuar në Ngushticën e Hormuzit, pasi një anije mallrash u sulmua gjatë kalimit në këtë rrugë detare strategjike.
Sipas kreut të IMO-s, Arsenio Dominguez, vendimi u mor për të garantuar sigurinë e detarëve deri në sqarimin e rrethanave të incidentit.
Anija "Ever Lovely", me flamur të Singaporit, u godit nga një predhë e panjohur, por nuk pati viktima dhe vijoi lundrimin.
Mediat amerikane, duke cituar zyrtarë të SHBA-së, raportojnë se sulmi është kryer nga Irani, ndërsa autoritetet iraniane kanë paralajmëruar se anijet që nuk ndjekin korridoret e miratuara nuk do të kenë kalim të garantuar.
Qindra anije dhe mijëra marinarë mbeten të bllokuar në Gjirin Persik që prej përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.



