Rreth 100 protestues u arrestuan të shtunën në qendër të Londrës gjatë një tubimi që kërkonte heqjen e ndalimit të grupit Palestine Action. Në një mesazh në X, policia e Londrës tha se kishte kryer 92 arrestime të personave të moshës mes 27 dhe 82 vjeç, ndërsa protestuesit ishin ende të pranishëm në orët e para të mbrëmjes.
Mes 300 dhe 400 njerëzve u mblodhën në mesditë në Sheshin Trafalgar për një tubim të heshtur, një lloj proteste paqësore, gjatë së cilës shumë prej tyre shfaqën pankartën e ndaluar “Unë kundërshtoj gjenocidin, unë mbështes Palestine Action”.
Palestina Action është e angazhuar në një betejë ligjore kundër qeverisë laburiste të Keir Starmer, e cila e ndaloi organizatën korrikun e kaluar pas akteve vandaliste të kryera nga aktivistët e saj, përfshirë edhe në një bazë të forcave ajrore.
Në shkurt, një gjykatë britanike vendosi që ndalimi ishte joproporcional, por qeveria apeloi dhe ndalimi mbetet në fuqi në pritje të rezultatit të apelimit.
Grupi denoncon luftën në Rripin e Gazës, e cila filloi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.



