Çmimet globale të naftës shënuan rënie të fortë, ndërsa tregjet financiare u rritën, pasi Donald Trump njoftoi një armëpushim të përkohshëm dhe me kushte me Iranin, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Nafta bruto Brent ra me rreth 14.4%, duke zbritur në 93.48 dollarë për fuçi, menjëherë pas deklaratës së Trump për pezullimin e kërcënimeve ushtarake ndaj Teheranit. Në të njëjtën kohë, autoritetet iraniane konfirmuan se do të lejojnë kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit për një periudhë dyjavore, nën menaxhimin e tyre.
Armëpushimi i përkohshëm erdhi vetëm pak para skadimit të ultimatumit të shpallur nga Shtëpia e Bardhë. Sipas marrëveshjes, SHBA do të ndalë sulmet, ndërsa Irani do të rihapë një nga rrugët më të rëndësishme energjetike në botë. Negociatat për paqe pritet të nisin të premten në Islamabad.
Reagimi i tregjeve ishte i menjëhershëm. Indekset kryesore në Azi u rritën ndjeshëm, ndërsa investitorët u orientuan drejt aktiveve më të sigurta. Në tregun e obligacioneve, rendimentet e bonove amerikane ranë, ndërsa çmimi i arit u rrit me mbi 2%.
Ekspertët paralajmërojnë se megjithëse armëpushimi ka sjellë një lehtësim të përkohshëm, pasiguritë mbeten të larta. Saul Kavonic nga MST Financial e cilësoi marrëveshjen si një “pauzë të përkohshme”, ndërsa strategët e tregut theksojnë se stabiliteti afatgjatë do të varet nga ecuria e negociatave dhe rikthimi i besimit në transportin detar përmes Hormuzit.
Konflikti, që nisi pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit në fund të shkurtit, kishte shkaktuar një rritje të ndjeshme të çmimeve të energjisë dhe një krizë globale, pasi përmes kësaj ngushtice kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz të lëngshëm.



