Dy satelitë me rezolucion të lartë, të menaxhuar nga organizata mjedisore jofitimprurëse Carbon Mapper, po patrullojnë globin çdo ditë për të identifikuar retë e padukshme të metanit.
Ky gaz, i cili bllokon 80 herë më shumë nxehtësi se dioksidi i karbonit në një periudhë 20-vjeçare, është përgjegjës për rreth 30% të ngrohjes globale të deritanishme. Satelitët kanë zbuluar se zona si Orla dhe Stanton në Teksas, si dhe Ringgold në Luiziana, kryesojnë listën e burimeve më të mëdha të ndotjes (super-emetuesit) nga nafta dhe gazi në SHBA.
Ndonëse shkencëtarët theksojnë se reduktimi i metanit është mënyra më e shpejtë për të ulur temperaturat globale, nivelet e tij arritën shifra rekord. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Kina mbetet ndotësi më i madh për shkak të minierave të qymyrit, e ndjekur nga SHBA-ja dhe Rusia.
Ironia qëndron në faktin se rreth 70% e këtyre emetimeve mund të kapen dhe të shfrytëzohen si lëndë djegëse fitimprurëse, veçanërisht në një kohë kur konfliktet gjeopolitike kanë rritur çmimet e energjisë.
Administrata Trump njoftoi planet për të dobësuar ndjeshëm rregullat e epokës Biden, duke eliminuar "Programin Super Emetues" dhe duke zbutur kontrollet për puset më të vogla.
EPA e argumenton këtë me një kursim prej 45 miliardë dollarësh për bizneset, ndërsa kritikët, si senatori Sheldon Ëhitehouse, thonë se koston do ta paguajnë qytetarët përmes faturave shëndetësore dhe dëmeve klimatike.
Bashkimi Evropian gjithashtu ka votuar për shtyrjen me tre vjet të rregullave që detyronin importuesit e huaj të naftës dhe gazit të monitoronin ndotjen nga metani.
Pavarësisht rritjes së prodhimit global të naftës, niveli total i ndotjes nga metani në industri ka qëndruar i qëndrueshëm. Gjithashtu, shtete si Kalifornia dhe Nju Meksiko po mbajnë në fuqi rregulloret e tyre strikte lokale.



