Evropa ka përjetuar edhe një ditë me temperatura ekstreme, ndërsa rekordet e të nxehtit u thyen sërish në disa vende të kontinentit gjatë së shtunës, njofton BBC.
Gjermania vendosi një rekord të ri historik për të dytën ditë radhazi, me temperaturat që arritën në 41.5 gradë Celsius, sipas të dhënave paraprake.
Rekorde të reja u regjistruan gjithashtu në Danimarkë dhe Republikën Çeke, ndërsa vala e pazakontë e të nxehtit, e cila nisi në fillim të verës, vazhdoi të përhapet drejt veriut dhe lindjes së Evropës.
Rreth 150 milionë njerëz në kontinent po përjetojnë temperatura mbi 35 gradë Celsius. Organizata Botërore Meteorologjike ka paralajmëruar se vala e të nxehtit do të ketë "ndikime të mëdha" në shëndetin e njerëzve dhe në ekosisteme.
Vala e të nxehtit, e cila filloi në Gadishullin Iberik, është lidhur me vdekjen e qindra personave gjatë javës së fundit.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Gjerman, rekordi i ri prej 41.5 gradë Celsius u regjistrua në Möckern-Drewitz, në landin lindor të Saksonisë-Anhalt.
Ai tejkaloi rekordin prej 41.3 gradësh të vendosur vetëm një ditë më parë në Saarbrücken, pranë kufirit me Francën.
"Ky nuk është mot i këndshëm veror. Kjo është një krizë shëndetësore", shkroi në platformën X politikania gjermane Katrin Göring-Eckardt, ish-bashkëdrejtuese e Partisë së Gjelbër.
Në Berlin, policia vendosi dy automjete me topa uji për të krijuar mjegull freskuese për qytetarët.
Republika Çeke regjistroi temperaturën më të lartë në historinë e saj, me 40.8 gradë Celsius në stacionin meteorologjik të Doksany, në veri të Pragës, njoftoi Instituti Meteorologjik Çek (CHMI).
Edhe Danimarka shënoi një rekord të ri, pasi në Odum, pranë Aarhusit, u regjistruan 37 gradë Celsius, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 36.4 gradësh të vendosur në vitin 1976.
Ndërkohë, Zvicra theu për të tretën ditë radhazi rekordin për ditën më të nxehtë të qershorit, me temperaturat që arritën në 39 gradë Celsius në qytetin e Bazelit.
Sipas meteorologut të BBC-së, Ben Rich, kjo valë e jashtëzakonshme e të nxehtit është shkaktuar nga një zonë e qëndrueshme me presion të lartë atmosferik, e njohur si "kupolë e të nxehtit".
"Nën këtë sistem, ajri zbret, kompresohet dhe ngrohet, duke bërë që temperaturat të rriten çdo ditë. Qielli ka mbetur kryesisht i kthjellët, duke lejuar që rrezet e forta të diellit ta përforcojnë edhe më shumë nxehtësinë", shpjegoi ai.
Që nga fillimi i valës së të nxehtit, numri i viktimave nga mbytja në Francë ka arritur në të paktën 55 persona. Rreth dy të tretat e tyre kishin notuar në zona të pambikëqyrura.
Në Spanjë, sistemi i monitorimit MoMo ka regjistruar 327 vdekje që mund të lidhen me temperaturat e larta gjatë periudhës nga e diela deri të enjten.
Evropa mbetet kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, si pasojë e një sërë faktorësh, përfshirë ngrohjen e përshpejtuar të Arktikut dhe ndryshimet në modelet e qarkullimit atmosferik.
Sipas shkencëtarëve të World Weather Attribution, një valë e të nxehtit me këtë intensitet, kaq herët gjatë verës, do të kishte qenë praktikisht e pamundur 50 vjet më parë.
Ata theksojnë se ndryshimet klimatike janë "pa dyshim" shkaku kryesor i këtij fenomeni.
Sipas parashikimeve të BBC-së, temperaturat ekstreme do të vazhdojnë deri të hënën, me vlera mbi 40 gradë Celsius ende të mundshme në disa rajone.
Megjithatë, një masë ajrore më e freskët pritet të përhapet gradualisht nga perëndimi drejt lindjes së Evropës gjatë javës, duke sjellë një lehtësim të pjesshëm të të nxehtit.



