
Bashkimi Evropian pritet të arrijë një marrëveshje politike për vendosjen e sanksioneve ndaj kolonëve ekstremistë izraelitë të akuzuar për dhunë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor.
Lajmi është konfirmuar nga shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, përpara nisjes së takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel.
“Pres një marrëveshje politike për sanksionet ndaj kolonëve të dhunshëm dhe shpresoj që ta arrijmë”, deklaroi ajo.
Sanksionet kishin mbetur të bllokuara prej muajsh për shkak të vetos së Hungarisë së drejtuar nga Viktor Orbán.
Megjithatë, pas fitores së Péter Magyar në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit, BE-ja shpreson se tashmë rruga është hapur për miratimin e masave ndëshkuese.
Paketa e sanksioneve parashikon ngrirje asetesh në territorin e Bashkimit Evropian si dhe ndalim hyrjeje në vendet anëtare të unionit.
Sipas raportimeve, shtatë kolonë ekstremistë izraelitë ose organizatat e tyre pritet të përfshihen në listën e sanksioneve.
Po ashtu, pritet të miratohen edhe masa ndaj 12 zyrtarëve të Hamas dhe vetë organizatës, të cilat gjithashtu kishin mbetur të bllokuara nga vetoja hungareze.
Bregu Perëndimor, territor palestinez i pushtuar nga Izraeli që prej vitit 1967, vijon të përballet me tensione dhe dhunë të përditshme.
Sipas një bilanci të publikuar nga AFP mbi bazën e të dhënave të Autoritetit Palestinez, që nga nisja e luftës në Gaza pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, të paktën 1069 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor nga ushtarë ose kolonë izraelitë.



