Protesta në Groenlandë dhe Danimarkë kundër planit të Trump për aneksimin e Groenlandës

Protesta në Groenlandë dhe Danimarkë kundër planit të Trump për aneksimin e Groenlandës

Mijëra qytetarë në Groenlandë dhe Danimarkë kanë dalë në protesta kundër planeve të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të marrë kontrollin e Groenlandës, një territor autonom nën Mbretërinë Daneze, raporton BBC. 

Demonstratat u mbajtën në disa qytete daneze, përfshirë kryeqytetin Kopenhagen, si dhe në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk. 

Protestat përkuan me një vizitë zyrtare në Kopenhagen të një delegacioni të Kongresit të SHBA-së, kreu i së cilës, senatori demokrat Chris Coons, e cilësoi retorikën e Trump si “jo konstruktive”.

Presidenti Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e marrjes me forcë të Groenlandës, duke këmbëngulur se ishulli është kritik për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Ai ka njoftuar gjithashtu vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane që kundërshtojnë planin e tij.

Sipas një postimi në platformën Truth Social, duke nisur nga 1 shkurti, mallrat nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda do t’i nënshtrohen një tarife amerikane prej 10%. 

Trump paralajmëroi se tarifat do të rriten në 25% më 1 qershor, “derisa të arrihet një marrëveshje për blerjen e plotë dhe totale të Groenlandës”.

Groenlanda është një territor pak i populluar, por i pasur me burime natyrore. Vendndodhja e saj strategjike midis Amerikës së Veriut dhe Arktikut e bën atë kyçe për sistemet e paralajmërimit të hershëm ndaj sulmeve me raketa dhe për monitorimin e aktivitetit detar në rajon.

Trump ka deklaruar më herët se SHBA do ta merrte Groenlandën “në mënyrën e lehtë ose në mënyrën e vështirë”, duke iu referuar blerjes së territorit ose përdorimit të forcës.

Në protestat e zhvilluara të shtunën në Kopenhagen, qytetarët mbanin pankarta me mbishkrime si “Larg duart nga Groenlanda” dhe “Groenlanda për groenlandezët”. 

Politikologu groenlandez Erik Jensen i tha agjencisë Reuters se “është thelbësore të tregojmë se Groenlanda nuk është në shitje dhe nuk dëshiron të bëhet pjesë e SHBA-së”.

Protestat u organizuan nga organizata joqeveritare daneze dhe groenlandeze. 

“Kërkojmë respekt për Mbretërinë Daneze dhe për të drejtën e Groenlandës për vetëvendosje”, deklaroi Camilla Siezing, kryetare e Inuitëve, një organizatë ombrellë e shoqatave groenlandeze.

Në Nuuk, Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, iu bashkua protestuesve që marshuan drejt konsullatës amerikane, duke mbajtur pankarta me mesazhe si “Groenlanda nuk është në shitje” dhe “Ne e formësojmë vetë të ardhmen tonë”.

Sondazhet e opinionit tregojnë se rreth 85% e groenlandezëve kundërshtojnë bashkimin e territorit me Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, disa vende evropiane kanë shprehur mbështetje për Danimarkën, duke theksuar se siguria e Arktikut duhet të mbetet një përgjegjësi e përbashkët e NATO-s. Franca, Gjermania, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar kanë dërguar trupa në Groenlandë në kuadër të një misioni zbulues.

Edhe në SHBA ka skepticizëm ndaj këtij plani. Delegacioni i Kongresit që po viziton Danimarkën përbëhet kryesisht nga demokratë, por përfshin edhe republikanë të moderuar.

 Senatori Chris Coons theksoi se “ka arsye legjitime për të investuar më shumë në sigurinë e Arktikut, si në territorin amerikan, ashtu edhe te partnerët tanë të NATO-s”.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy