Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, ka deklaruar se të gjithë emigrantët që kanë hyrë në mënyrë të parregullt në enklavën spanjolle të Ceutës do të kthehen në Marok.
Gjatë vizitës së tij paraditen e sotme në qytet, Albares u bëri thirrje emigrantëve të mos tentojnë sërish kalimin e kufirit, duke paralajmëruar se një përpjekje e tillë rrezikon jetën, paratë dhe të ardhmen e tyre.
Sipas ministrit, askush që kalon kufirin në mënyrë të parregullt nuk do të lejohet të udhëtojë drejt Spanjës kontinentale dhe as të qëndrojë në Ceuta.
Ai theksoi se autoritetet spanjolle janë në kontakt të drejtpërdrejtë me palën marokene për të menaxhuar situatën dhe për të parandaluar një tjetër krizë kufitare.
Albares akuzoi edhe rrjetet sociale për përhapjen e asaj që e cilësoi si “dezinformim”, veçanërisht në lidhje me interpretimin e një vendimi të fundit gjyqësor.
Ai nënvizoi se hyrja në Ceuta apo Melilla nuk u jep emigrantëve automatikisht të drejtën për të qëndruar në territorin spanjoll.
“Askush nuk është larguar nga qyteti drejt kontinentit dhe askush nuk mund ta bëjë këtë”, deklaroi Albares, duke shtuar se Spanja po punon diplomatikisht me Marokun për kthimin e të gjithë personave që kanë hyrë në mënyrë të parregullt.
Ndërkohë, presidenti konservator i Ceutës, Juan Jesis Vivas, deklaroi pas takimit me ministrin se deri në 10 mijë persona mund të ndodhen ende në qytet.
Ai e përshkroi situatën si të paqëndrueshme dhe mirëpriti zotimin e qeverisë spanjolle për kthimin e emigrantëve në Marok.
Megjithatë, Vivas shprehu shqetësim për mungesën e një afati të përcaktuar se kur do të përfundojë procesi i kthimit.



