Ushtria greke ka nisur hetimet për një dron detar pa pilot që u zbulua në Detin Jon nga peshkatarë vendas pranë ishullit të Lefkadës. Mjeti lundrues u gjet të enjten në një shpellë dhe më pas u tërhoq nga roja bregdetare drejt portit të Vasilikisë.
Sipas mediave greke, droni dyshohet se mbante eksplozivë, ndërsa motori i tij ishte ende në funksion kur u zbulua. Raportet paraprake sugjerojnë se ai mund të jetë i prodhimit ukrainas ose i lidhur me konfliktin Rusi-Ukrainë, megjithëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë mjetin e errët duke u transportuar nga roja bregdetare greke, pa shenja identifikuese të dukshme mbi origjinën e tij.
Ekspertët ushtarakë grekë po analizojnë qëllimin e dronit dhe mënyrën se si ai përfundoi në ujërat greke, duke mos përjashtuar mundësinë e një defekti teknik ose humbjes së kontaktit me qendrën e kontrollit.
Një nga skenarët që po shqyrtohet është përdorimi i dronit kundër të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë, rrjet anijesh që përdoren për transportin e naftës dhe gazit rus në shmangie të sanksioneve perëndimore.
Gazeta greke “Ta Nea” raportoi se mjeti ngjan me dronin ukrainas MAGURA V5, i përdorur më parë në operacione detare kundër objektivave ruse. BBC ka kërkuar reagim zyrtar nga autoritetet greke dhe ukrainase, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar mbi origjinën e dronit.



