Ushtria amerikane njoftoi se ka zhvilluar natën e shtatë radhazi të sulmeve ndaj Iranit, pasi presidenti Donald Trump deklaroi se marrëveshja e përkohshme e armëpushimit kishte përfunduar.
Sipas BBC, në një deklaratë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se forcat amerikane goditën objekte të mbikëqyrjes, infrastrukturë logjistike ushtarake, depo nëntokësore armësh dhe kapacitete detare në territorin iranian.
Sipas CENTCOM, operacioni përfundoi rreth orës 21:30 me orën lindore të SHBA-së (02:30 BST), ndërsa në sulme u përdorën avionë luftarakë, dronë dhe anije luftarake.
Nga ana tjetër, Irani deklaroi se është kundërpërgjigjur duke goditur objektiva të lidhur me aleatët e SHBA-së në rajon.
Autoritetet në Kuvajt njoftuan se sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan për të përballuar sulme me raketa dhe dronë, ndërsa ushtria jordaneze bëri të ditur se ka interceptuar 10 raketa iraniane që hynë në hapësirën e saj ajrore.
Sipas autoriteteve jordaneze, nuk pati dëme.
Agjencia shtetërore iraniane Fars raportoi se dy cisterna nafte shpërthyen dhe u përfshinë nga flakët teksa kalonin në një zonë të minuar pranë Ngushticës së Hormuzit.
Megjithatë, CENTCOM e hodhi poshtë këtë pretendim, duke e cilësuar atë të pavërtetë.
Ndërkohë, trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, mbetet i kufizuar për shkak të përshkallëzimit të konfliktit. Përmes kësaj ngushtice kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
Mediat shtetërore iraniane raportuan gjithashtu për shpërthime në qytetin Yazd, në ishullin Qeshm dhe në portin Bandar Abbas.
Irani pretendon se ka goditur objekte ushtarake amerikane në Kuvajt, Bahrein, Jordani dhe, për herë të parë, në Siri. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kanë mohuar këto pretendime.
Sipas burimeve të cituara nga CBS News, disa ushtarakë amerikanë janë plagosur gjatë sulmeve iraniane ndaj dy bazave në Jordani gjatë javës së kaluar.
Nga ana tjetër, Uashingtoni mohon akuzat se ka goditur infrastrukturë civile në Iran, duke këmbëngulur se operacionet janë përqendruar vetëm ndaj objektivave ushtarake.
Megjithatë, autoritetet iraniane në provincën Hormozgan raportojnë se të paktën shtatë persona kanë humbur jetën nga sulmet.
Pamje të verifikuara nga BBC Verify dhe BBC Persian tregojnë dëmtime të konsiderueshme në Urën Gariveh, ndërsa videot e publikuara gjatë natës shfaqin një shpërthim të madh në zonë.
Përplasjet mes SHBA-së dhe Iranit vijojnë prej një jave, pas dështimit të bisedimeve për paqe, ndërsa tensionet rreth Ngushticës së Hormuzit vazhdojnë të pengojnë përpjekjet diplomatike për arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm.



