Emiratet e Bashkuara Arabe kanë intensifikuar përpjekjet diplomatike për krijimin e një task force detare shumëkombëshe me qëllim rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më jetike të transportit detar global.
Sipas raportimit të Financial Times, Abu Dhabi u ka bërë të ditur aleatëve perëndimorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, se është i gatshëm të marrë pjesë aktive në këtë mision. Burime të njohura me situatën kanë deklaruar se Emiratet planifikojnë edhe dislokimin e forcave të tyre detare si pjesë e kësaj nisme.
Ky zhvillim pasqyron një qëndrim më të ashpër të Emirateve ndaj Irani, në një kohë tensionesh të larta rajonale dhe frikës për hakmarrje nga Teherani në kontekstin e konfliktit të lidhur me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Ndërkohë, Emiratet, së bashku me Bahreini, po punojnë për hartimin e një rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për t’i dhënë mandat ndërkombëtar çdo force të ardhshme detare. Megjithatë, iniciativa mund të përballet me kundërshtime nga Rusia dhe Kina.
Shtetet e Gjirit mbeten të shqetësuara se Irani mund të përpiqet të ruajë kontrollin mbi ngushticën edhe pas përfundimit të konfliktit aktual. Sipas raportit, po rritet bindja se rihapja e sigurt e kësaj rruge strategjike nuk mund të realizohet pa një prani të organizuar dhe të armatosur detare.



