Le Pen sfidon drejtësinë dhe nis fushatën zgjedhore: Jam e pafajshme, do të jem presidente

Le Pen sfidon drejtësinë dhe nis fushatën zgjedhore: Jam e pafajshme, do të jem presidente

Liderja e së djathtës franceze, Marine Le Pen, ka nisur zyrtarisht fushatën e saj për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, vetëm pak orë pasi Gjykata e Apelit në Paris konfirmoi fajësinë e saj në çështjen e përvetësimit të fondeve të Parlamentit Europian, por njëkohësisht i hapi rrugën kandidimit duke shkurtuar ndalimin për ushtrimin e funksioneve publike.

 

Pavarësisht vendimit të gjykatës, Le Pen u shfaq sfiduese përballë mbështetësve të saj, duke deklaruar se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga gara për Pallatin Elysee.

 

Jam e pafajshme. Do ta çoj këtë çështje deri në fund dhe unë do të jem presidente e Republikës Franceze”, deklaroi ajo gjatë prezantimit të fushatës së saj.

 

Politikania 57-vjeçare e cilësoi procesin gjyqësor si një betejë politike dhe jo thjesht juridike, duke akuzuar kundërshtarët se po përpiqen ta pengojnë përmes sistemit të drejtësisë.

 

Nuk do të lejoj askënd t’ua marrë francezëve të drejtën për të zgjedhur lirisht presidentin e tyre”, tha Le Pen, duke shtuar se beteja e saj është edhe një mbrojtje e demokracisë.

 

Ajo ka bërë të ditur se do ta apelojë vendimin në Gjykatën e Kasacionit, çka pezullon përkohësisht zbatimin e dënimit dhe i mundëson të vijojë normalisht fushatën elektorale.

 

Në fjalimin e saj, Le Pen premtoi një “ringjallje të Francës”, duke e ndërtuar programin mbi katër shtylla kryesore: sovranitetin kombëtar, sigurinë, drejtësinë dhe arsimin.

 

Franca meriton një rilindje. Është koha t’ia rikthejmë vendin popullit francez dhe të mbrojmë sovranitetin tonë.

 

Fushata e saj zhvillohet në një klimë politike të tensionuar. Edhe pse vendimi gjyqësor ka shkaktuar polemika të forta, sondazhet e fundit tregojnë se Le Pen mbetet një nga favoritët për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. 

 

Mbështetësit e saj e konsiderojnë procesin gjyqësor si një përpjekje për ta eliminuar politikisht, ndërsa kundërshtarët argumentojnë se një person i dënuar për shpërdorim fondesh publike nuk duhet të synojë postin më të lartë të shtetit.

 

Në këtë garë, Le Pen do të mbështetet edhe nga presidenti i partisë “Rassemblement National”, Jordan Bardella, i cili pritet të luajë një rol kyç në fushatë dhe shihet si një nga figurat më të rëndësishme të së djathtës franceze.

 

Jam e pafajshme dhe do të luftoj deri në fund. Unë do të jem presidente”, ishte mesazhi me të cilin Marine Le Pen hapi zyrtarisht betejën e saj të katërt për presidencën e Francës.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy