Këtë të martë, gjatë një interviste për kanalin CNBC, presidenti amerikan Donald Trump bëri një tjetër kërcënim ndaj sektorit farmaceutik.
Ai paralajmëroi vendosjen e një takse deri në 250% mbi produktet farmaceutike të importuara në Shtetet e Bashkuara, një nga nivelet më të larta të shpallura ndonjëherë prej tij.
Në fillim të korrikut, Trump kishte deklaruar se do të vendoste një taksë shtesë prej 200% mbi ilaçet e importuara, nëse prodhimi nuk rikthehej shpejt në territorin amerikan.
Trump parashikon që në fillim të vendoset një tarifë doganore e ulët, por brenda një viti, ose maksimumi një vit e gjysmë, ajo do të jetë 150%, dhe më pas 250%, sepse duhet që ilaçet të prodhohen në SHBA.
Donald Trump gjithashtu synon të ulë çmimet e barnave, të cilat aktualisht janë mesatarisht shumë më të larta krahasuar me shumicën e vendeve të tjera të industrializuara.
Javën e kaluar, ai u ka dërguar letra 17 kompanive farmaceutike, duke u kërkuar që të ulin çmimet e produkteve të tyre, në të kundërtën do të përballen me masa ndëshkuese. Ai u ka dhënë afat deri më 29 shtator për të paraqitur angazhime konkrete në këtë drejtim.



