Një avion është zhdukur nga radarët ne SHBA. Mediat amerikane raportojnë se një operacion i gjerë kërkimi dhe shpëtimi është duke u zhvilluar në brigjet e Nantucket, Massachusetts, në SHBA, për gjetjen e një avioni tip Gulfstream G100, me gjashtë persona në bord, i cili humbi kontaktin me radarët gjatë fluturimit nga Bermuda drejt Bostonit.
Sipas mediave amerikane, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) humbi kontaktin me avionin në orët e para të mëngjesit të së shtunës, pak para mbërritjes së tij në destinacion. Pas ndërprerjes së kontaktit u aktivizua alarmi i kërkim-shpëtimit dhe në operacion u angazhua edhe Roja Bregdetare e SHBA-së.
Sipas autoriteteve amerikane, në bord ndodheshin gjashtë persona. Sipas të dhënave të gjurmimit të fluturimit, të cituara nga mediat amerikane, Gulfstream G100 ndodhej në një lartësi prej rreth 23.500 këmbësh, kur pak pas orës 01:00 filloi të humbiste lartësi me shpejtësi.
Deri më tani nuk dihet se çfarë shkaktoi ndërprerjen e komunikimit dhe autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse avioni është rrëzuar. Kërkimet janë përqendruar në zonën detare pranë Nantucket, ishull në juglindje të Massachusetts. Roja Bregdetare amerikane ka angazhuar menjëherë mjete ajrore dhe detare për gjetjen e avionit.



