
Bota e muzikës britanike dhe ajo ndërkombëtare ka humbur një nga zërat më të veçantë të skenës. Këngëtarja uellsiane Bonnie Tyler, e famshme në mbarë botën për hitin e saj ikonë “Total Eclipse of the Heart”, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare, sipas raportimeve të mediave britanike.
Artistja kishte përballuar kohët e fundit probleme të rënda shëndetësore. Në muajin maj, ajo u dërgua me urgjencë në një spital në Faro të Portugalisë, ku iu nënshtrua një operacioni urgjent në zorrë. Pas ndërhyrjes, ajo u vendos në një gjendje kome të induktuar, me qëllim që trupi i saj të kishte mundësi të rikuperohej.
Një muaj më parë, përfaqësuesit e saj kishin bërë të ditur se këngëtarja ishte zgjuar nga koma, por gjendja e saj vazhdonte të ishte e rëndë dhe ajo qëndronte në kujdes intensiv. Asokohe, ata shprehën optimizëm se shëndeti i saj po përmirësohej dhe se mjekët besonin në një rikuperim të plotë, edhe pse procesi po ecte ngadalë.
Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të artistes thuhej: “Familja dhe ekipi i Bonnie-s njoftojnë me dhimbje të madhe se Bonnie ndërroi jetë papritur mbrëmë në spitalin në Portugali, si pasojë e sëmundjes për të cilën po merrte trajtim. Një deklaratë e mëtejshme do të publikohet së shpejti, por për momentin kërkojmë respektimin e privatësisë sonë për të përballuar këtë tragjedi.”
Karriera e Bonnie Tyler pati edhe momente të vështira. Në mesin e viteve 1970, rreth periudhës kur ajo po korrte sukses me këngën “Lost in France”, pati probleme me kordat vokale për shkak të lodhjes së tepërt. Mjekët i rekomanduan një ndërhyrje kirurgjikale, të cilën ajo e realizoi.
Pas operacionit, këngëtarja duhej të qëndronte në pushim absolut të zërit. Megjithatë, një incident i vogël do të ndryshonte përgjithmonë mënyrën se si tingëllonte zëri i saj.
Teksa po udhëtonte për të vizituar vëllain e saj në spital, ajo kuptoi se kishte harruar një dhuratë me luleshtrydhe dhe, e irrituar, bërtiti: “Oh jo!”.
Në autobiografinë e saj “Straight from the Heart” (“Drejt nga zemra”), Tyler tregoi se pas këtij momenti mjeku i saj i tha se kishte pësuar dëmtime të përhershme në zë. Por ajo që mund të kishte shënuar fundin e karrierës së saj, u kthye në një nga karakteristikat më të dallueshme të saj.
Zëri i saj mori një ngjyrim më të ashpër dhe më të ngjirur, të cilin ajo më pas e vlerësoi shumë, sidomos për thellësinë emocionale që i jepte interpretimit të këngëve. Me humor, ajo thoshte se tashmë tingëllonte si një version femëror i Rod Stewart.
Bonnie Tyler nuk ka lindur me këtë emër. Emri i saj i lindjes ishte Gaynor Hopkins, por ajo kishte pranuar se nuk ishte ndjerë kurrë e lidhur me të dhe fillimisht vendosi të përdorte emrin Sherene Davies.
Kur ishte pjesë e grupit “Bobby Wayne and the Dixies”, ajo njihej si Sherene, një emër që e kishte marrë nga vajza e parë e motrës së saj dhe që i pëlqente shumë.
Megjithatë, kur nënshkroi kontratën e parë me kompaninë diskografike RCA Records, drejtuesit i sugjeruan një tjetër ndryshim, pasi mendonin se emri Sherene tingëllonte si emër i një kërcimtareje orientale.
Ajo vendosi të krijonte një emër të ri duke përdorur një gazetë, ku shkroi në lista të veçanta emra dhe mbiemra që i pëlqenin. Nga kombinimi i tyre lindi emri Bonnie Tyler, një emër që do të bëhej i njohur në të gjithë botën.
“Total Eclipse of the Heart”, kënga që e bëri legjendë
Kënga më e famshme e Bonnie Tyler mbetet padyshim “Total Eclipse of the Heart”. Publikuar në vitin 1983, ajo u ngjit në krye të klasifikimeve muzikore në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë, Australi dhe Zimbabve.
Kënga u përshtat edhe në gjuhë të tjera, përfshirë versionin spanjisht “Eclipse Total del Amor” dhe atë italisht “Eclissi del cuore”. Megjithatë, ky sukses historik pothuajse nuk ndodhi.
Në atë periudhë, pas disa rezultateve jo të kënaqshme me albumet e saj, kompania diskografike dëshironte që Tyler të rikthehej te stili country-rock i hitit të saj të mëparshëm “It’s a Heartache”.
Por pasi pa performancën e Meat Loaf me albumin “Bat Out of Hell” në programin e BBC-së “Old Grey Whistle Test”, ajo vendosi të bashkëpunonte me autorin e atij projekti, Jim Steinman.
Fillimisht Steinman ishte skeptik, por menaxheri i ri i Tylerit i dërgoi disa regjistrime demo të këngëve të saj rock. I impresionuar nga zëri dhe potenciali i saj, ai kërkoi ta takonte në Nju Jork. Takimi i tyre rezultoi në një bashkëpunim të suksesshëm që do të sillte një nga këngët më të paharrueshme në historinë e muzikës pop-rock.



