Një analizë e re e botuar në revistën shkencore The Lancet tregon se rreth 200 jetë janë shpëtuar në Angli falë vaksinës kundër papillomavirusit njerëzor (HPV), e cila mbron nga kanceri i qafës së mitrës.
Studimi, i pari i këtij lloji, evidenton një rënie të ndjeshme të vdekjeve që nga nisja e programit të vaksinimit për vajzat në moshë shkollore në vitin 2008. Sipas të dhënave, midis viteve 2020 dhe 2024 nuk është regjistruar asnjë vdekje nga kanceri i qafës së mitrës tek gratë e moshës 20–24 vjeç, duke shënuar herën e parë që kjo ndodh në një periudhë pesëvjeçare.
Studiuesit theksojnë se pa vaksinim do të pritej të regjistroheshin rreth 23 vdekje në këtë grupmoshë. Po ashtu, vajzat e vaksinuara në moshën 12–13 vjeç kanë aktualisht pothuajse zero rrezik për të vdekur nga kjo sëmundje para moshës 30 vjeç.
Profesori Peter Sasieni nga Universiteti “Queen Mary” i Londrës, i cili udhëhoqi studimin, e ka cilësuar këtë zhvillim si dëshmi se një vaksinë e vetme mund të parandalojë pothuajse plotësisht një lloj kanceri. Ai shton se rënia e vdekjeve është vetëm “maja e ajsbergut”, pasi ndikimi pozitiv pritet të rritet ndërsa brezat e vaksinuar plaken.
Sipas Cancer Research UK, e cila financoi studimin, gjetjet janë një “arritje e jashtëzakonshme”, por organizata paralajmëron se normat e vaksinimit në Angli kanë rënë nën nivelet e rekomanduara prej 90% të vendosura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës. Aktualisht, rreth 76% e vajzave vaksinohen deri në moshën 15-vjeçare.
HPV është një virus që përhapet përmes kontaktit të ngushtë lëkurë me lëkurë dhe konsiderohet shkaktari i rreth 99% të rasteve të kancerit të qafës së mitrës. Ndërsa shumica e infeksioneve kalojnë vetë, disa mund të shkaktojnë ndryshime qelizore që me kalimin e viteve zhvillohen në kancer.
Qeveria britanike synon eliminimin e kancerit të qafës së mitrës si problem të shëndetit publik deri në vitin 2040, ndërsa autoritetet shëndetësore theksojnë rëndësinë e rritjes së përfshirjes në vaksinim dhe vijimit të kontrolleve të rregullta për gratë 25–64 vjeç.



