Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar një version në formë pilule të ilaçit për humbje peshe Wegovy, sipas gjigantit farmaceutik Novo Nordisk.
Kjo është pilula e parë e këtij lloji që merr miratimin nga rregullatori, duke shënuar një epokë të re për ilaçet për humbje peshe.
Prodhuesi danez i Wegovy, Novo Nordisk, tha se pilula një herë në ditë ishte një opsion i përshtatshëm ndaj injeksionit dhe do të siguronte të njëjtën humbje peshe si injeksioni. Kjo vjen pasi Wegovy u miratua nga FDA posaçërisht për humbje peshe.
Ilaçe të tjerë si Ozempic, i cili ka efekte të ngjashme në humbjen e peshës, u miratuan kryesisht për trajtimin e diabetit të tipit 2.
Pilula Wegovy tregoi një humbje mesatare në peshë prej 16.6% gjatë provave të Novo Nordisk, njoftoi kompania të hënën.
Një e treta e rreth 1300 pjesëmarrësve përjetuan humbje peshe prej 20% ose më të madhe gjatë testimit. Pilula pritet të lançohet në SHBA në fillim të janarit 2026.
“Pacientët do të kenë një pilulë të përshtatshme, një herë në ditë, që mund t’i ndihmojë ata të humbin po aq peshë sa injeksioni origjinal i Wegovy”, tha Mike Doustdar, drejtori ekzekutiv i firmës.
Versioni në formë pilule i Wegovy mund t’i japë një shtysë shitjeve të Novo Nordisk pas një viti sfidues, i cili pa aksionet e saj të binin ndërsa paralajmëroi për fitimet e saj.
Kompania është përballur me konkurrencë të fortë në tregun e humbjes së peshës nga prodhues rivalë të ilaçeve si Eli Lilly.



