Zëdhënësi i komisionit parlamentar iranian për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme, Ebrahim Rezaei, tha se Irani mund të vazhdojë me pasurimin e uraniumit deri në 90% nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsërisin sulmet ushtarake, duke shtuar se çështja do të ngrihet për diskutim në Parlament.
Deklarata u bë në një postim në rrjetin social X, mes tensioneve në rritje midis Teheranit dhe Uashingtonit mbi programin bërthamor të Iranit.
Sipas vlerësimeve ndërkombëtare, nivelet e pasurimit rreth 90% teknikisht konsiderohen “të përshtatshme për armë”, domethënë mjaftueshëm të larta për të ndërtuar një armë bërthamore, megjithëse Irani ka pohuar vazhdimisht se programi i tij është paqësor.
Rezaei ka theksuar më parë se pasurimi i uraniumit është një e drejtë e panegociueshme e vendit, ndërsa autoritetet iraniane këmbëngulin se programi bërthamor nuk ka qëllim ushtarak.



