Spanja “nuk do të jetë vasale” e asnjë shteti tjetër, deklaroi të mërkurën zëvendëskryeministrja Maria Jesus Montero, duke iu kundërvënë kërcënimeve të Presidentit amerikan Donald Trump për ndërprerje të tregtisë me Madridin për shkak të qëndrimit të tij ndaj sulmeve SHBA-Izrael kundër Irani.
Trump ka sugjeruar vendosjen e një embargoje tregtare ndaj Spanjës, pasi Madridi refuzoi të lejojë përdorimin e bazave detare dhe ajrore në jug të vendit, të operuara së bashku me SHBA-në, për ofensivën kundër Teheranit.
Qeveria spanjolle i ka cilësuar bombardimet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit si të pamatura dhe të paligjshme, ndërkohë që shumica e vendeve të tjera evropiane kanë shmangur kritika të drejtpërdrejta.
“Ne sigurisht që nuk do të jemi vasalë të askujt, nuk do të tolerojmë asnjë kërcënim dhe do të mbrojmë vlerat tona”, tha Montero para gazetarëve, duke theksuar edhe mbështetjen e shprehur nga Komisioni Evropian.
Komisioni Evropian deklaroi se pret që SHBA-të të respektojnë marrëveshjen tregtare me Bashkimin Evropian dhe shprehu solidaritet të plotë me shtetet anëtare, pa e përmendur konkretisht Spanjën.
Në një adresim televiziv më herët gjatë së mërkurës, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez rikonfirmoi kundërshtimin e vendit ndaj luftës, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i konfliktit mund të sillte pasoja të rënda globale.
Ne nuk do të jemi bashkëfajtor në diçka që është e keqe për botën, as në kundërshtim me vlerat dhe interesat tona, thjesht për të shmangur hakmarrjen nga dikush.
Një ndër kritikët më të zëshëm të Trump dhe të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Sanchez akuzoi liderët që përdorin mjegullën e luftës për të fshehur dështimin e tyre në politikën e brendshme.
“Kështu fillojnë fatkeqësitë e mëdha të njerëzimit... Nuk mund të luash ruletë ruse me fatin e miliona njerëzve”, shtoi ai, duke rikujtuar pasojat e luftës në Irak, nga rritja e terrorizmit xhihadist deri te rritja e çmimeve të energjisë, për të argumentuar se edhe pasojat e një sulmi ndaj Iranit mbeten të paparashikueshme.
Deri tani, Spanja ka zgjedhur të mos përfshihet në operacione mbrojtëse. Ndërkohë, Britania, Franca dhe Greqia kanë dërguar armatime në Qipro, e cila u godit nga një dron të hënën. Kryeministri britanik Keir Starmer ka autorizuar përdorimin e bazave të Mbretërisë së Bashkuar për ndërmarrjen e sulmeve mbrojtëse ndaj Teheranit.



