Dyqanet e Swatch në Mançester dhe Liverpool janë mbyllur për të dytën ditë radhazi, pasi turma të mëdha njerëzish u mblodhën për të blerë modelin e ri të orës “Royal Pop”, një bashkëpunim mes Swatch dhe prodhuesit luksoz Audemars Piguet.
Sipas kompanisë zvicerane, mbyllja e përkohshme e dyqaneve u bë për arsye sigurie, ndërsa radhët e gjata dhe fluksi i madh i klientëve detyruan ndërhyrjen e policisë në disa qytete të Mbretërisë së Bashkuar dhe vende të tjera.

Ora, e cila shitet zyrtarisht me çmim nga 335 deri në 350 paund, po rishitet online deri në 16 mijë paund. Swatch u bëri thirrje qytetarëve të shmangin grumbullimet masive, duke theksuar se koleksioni do të mbetet në dispozicion për disa muaj.
Ndërkohë, kritikët kanë vënë në pikëpyetje mënyrën e menaxhimit të lançimit, duke kërkuar që produkti të ishte i disponueshëm edhe online për të shmangur kaosin dhe angazhimin e panevojshëm të policisë.




