Një avion privat i tipit “Learjet 60” është rrëzuar të dielën në një zonë të banuar në Florida të SHBA-së, duke shkaktuar vdekjen e të nëntë personave që ndodheshin në bord. Fatmirësisht, nga përplasja nuk raportohet për viktima apo të lënduar jashtë avionit.
Sipas BBC, aksidenti ndodhi pranë zonës Cresthaven, rreth 14 kilometra larg resortit Mar-a-Lago të Presidentit Donald Trump. Avioni ishte nisur nga Austin, Teksas, drejt Bahamas, ndërsa u përplas rreth orës 12:50 me orën lokale. Pamjet nga vendngjarja tregojnë një krater të madh në mes të një rruge me gjashtë korsi, të rrethuar nga flakët dhe mbetjet e avionit.
Sipas analizave të fluturimit dhe komunikimeve të regjistruara me kullën e kontrollit, avioni po humbiste lartësi me shpejtësi shumë të madhe, deri në 20 mijë këmbë në minutë. Në regjistrimet audio dëgjohet një anëtar i ekuipazhit që shpall emergjencën dhe paralajmëron se avioni po humb kontrollin, ndërsa fjalët e fundit të dëgjuara nga kabina ishin: “Nuk kemi më kohë”.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, e cilësoi përplasjen si një ngjarje tronditëse, duke përshkruar momentin e rrëzimit si një avion që u drejtua pothuajse vertikalisht drejt tokës, përpara se të shpërthente në flakë.
Ndërkohë, autoritetet urdhëruan evakuimin e rreth 600 banorëve të një komuniteti pranë vendit të aksidentit. Përplasja shkaktoi gjithashtu dëme të konsiderueshme në infrastrukturën lokale, ndërsa rruga pritet të qëndrojë e mbyllur për të paktën 30 ditë.



