Solstici i verës do të festohet në të gjithë hemisferën veriore këtë javë, duke shënuar fillimin zyrtar të verës astronomike, njofton BBC.
Këtë vit, solstici bie më 21 qershor dhe përfaqëson momentin kur hemisfera veriore e Tokës është e anuar maksimalisht drejt Diellit.
Edhe pse zakonisht konsiderohet si një ditë e tërë, në të vërtetë solstici ndodh në një çast të vetëm astronomik.
Për banorët e hemisferës veriore, kjo datë njihet si dita me numrin më të madh të orëve me dritë dielli dhe nata më e shkurtër e vitit.
A bie gjithmonë më 21 qershor?
Jo. Solstici i verës mund të ndodhë më 20, 21 ose 22 qershor, në varësi të vitit. Në vitet e brishta ai zakonisht bie më 20 qershor.
Kjo ndodh sepse Tokës i duhen rreth 365 ditë e gjashtë orë për të përfunduar një orbitë të plotë rreth Diellit. Për të kompensuar këtë diferencë, kalendarit i shtohet një ditë shtesë çdo katër vjet.
Pse ndryshon sasia e dritës së diellit?
Toka nuk rrotullohet në një bosht plotësisht vertikal, por është e anuar. Kjo pjerrësi bën që rajone të ndryshme të planetit të marrin sasi të ndryshme drite gjatë vitit, duke krijuar stinët.
Në ditën e solsticit të verës, hemisfera veriore është e orientuar më drejtpërdrejt drejt Diellit, ndërsa rrezet bien vertikalisht mbi Tropikun e Gaforres.
Pa këtë pjerrësi të boshtit të Tokës, do të kishim ndryshime të motit, por jo stinë të mirëpërcaktuara, pasi gjatësia e ditës do të mbetej pothuajse e njëjtë gjatë gjithë vitit.
Fjala “solstic” vjen nga latinishtja: sol (diell) dhe sistere (të qëndrosh në vend), duke iu referuar ndalesës së dukshme të lëvizjes së Diellit në qiell.
Megjithatë, dita e solsticit nuk përkon domosdoshmërisht me lindjen më të hershme ose perëndimin më të vonë të diellit.
Lindjet më të hershme ndodhin pak ditë para solsticit, ndërsa perëndimet më të vona disa ditë pas tij.
Vera astronomike dhe vera meteorologjike
Solstici shënon fillimin e verës astronomike, por meteorologët e konsiderojnë verën të nisur që më 1 qershor dhe të përfundojë më 31 gusht.
Ky përcaktim përdoret për arsye praktike dhe statistikore, pasi i ndan stinët në periudha të plota tremujore, duke e bërë më të lehtë krahasimin e të dhënave klimatike nga viti në vit.



