Vendimi i Iranit për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit ka bërë që trafiku detar në këtë korridor të rëndësishëm ndërkombëtar të reduktohet ndjeshëm.
Ngushtica, e cila është rreth 24 milje e gjerë, është një nga rrugët më të rëndësishme për transportin e naftës dhe mallrave në botë.
Në ditët e fundit vetëm pak anije kanë arritur të kalojnë në këtë zonë.
Disa prej tyre kanë fikur sistemet e gjurmimit satelitor, ndërsa të tjera dyshohet se i përkasin të ashtuquajturave “flota të hijeve”, që përdoren për të transportuar naftë të sanksionuar.
Sipas Richard Meade, drejtues i kompanisë së analizës së rrezikut detar Lloyd’s List Intelligence, Irani nuk mund ta mbyllë fizikisht një rrugë detare kaq të madhe, por kërcënimi për sulme mbetet real.
Ai thekson se Irani ka përdorur më parë mjete të ndryshme ushtarake, nga raketa balistike deri te dronë ajrorë dhe detarë.
Çfarë anijesh kanë kaluar në këtë zonë?
Ekipi i analizës së të dhënave dhe hetimeve në Sky News ka identifikuar të paktën 13 anije që kanë kaluar në Ngushticën e Hormuzit nga data 2 deri më 9 mars.
Megjithatë, numri real i anijeve që kalojnë në këtë zonë mund të jetë më i madh, pasi disa prej tyre çaktivizojnë sistemet e gjurmimit për të fshehur lëvizjet.
Kjo praktikë njihet në transportin detar si “shuarje e sinjalit”. Të dhënat nga kompania e analizës detare IMF Portwatch tregojnë se në kushte normale rreth 30 mijë anije kalojnë çdo vit në këtë ngushticë, ose mesatarisht 82 anije në ditë. Nga anijet që janë identifikuar së fundmi, shumë kanë lidhje me Iranin, Kinën ose Rusinë. Ka gjithashtu anije që mbajnë flamuj të Greqisë, Indisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Singaporit.
Sipas të dhënave të gjurmimit detar nga kompania Kpler, pesë anije të menaxhuara nga kompania greke Dynacom kanë kaluar në këtë zonë që nga fillimi i krizës. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump u ka bërë thirrje pronarëve të anijeve që të mos tërhiqen nga frika dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre normal në këtë rrugë detare.
Flotat e hijeve dominojnë kalimet
Sipas analizës së Lloyd’s List Intelligence, shumica e anijeve që po kalojnë aktualisht në Ngushticën e Hormuzit janë pjesë e të ashtuquajturës “flotë e hijeve”. Nga 13 cisternat e mëdha të naftës dhe gazit që kaluan në periudhën 2–9 mars, tetë prej tyre u klasifikuan si pjesë e kësaj flote. Një anije konsiderohet pjesë e flotës së hijeve kur përdoret për të transportuar naftë të sanksionuar nga Irani, Rusia ose Venezuela, duke shmangur kontrollet dhe sanksionet ndërkombëtare.
Sulmet ndaj anijeve
Sipas Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), të paktën 10 anije janë sulmuar në ose pranë Ngushticës së Hormuzit që nga momenti kur Irani shpalli bllokimin e saj. Më 1 mars u sulmuan katër anije, ku tre persona humbën jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur. Më 3 mars u raportuan edhe dy sulme të tjera, ndërsa incidente të ngjashme janë regjistruar pothuajse çdo ditë deri më 7 mars. Sipas United Kingdom Maritime Trade Operations (UKMTO), nga 28 shkurti deri më 10 mars janë regjistruar gjithsej 14 incidente që kanë prekur anijet që operojnë në Gjirin Arabik, Ngushticën e Hormuzit dhe Gjirin e Omanit. Anijet e përfshira në këto incidente mbajnë flamuj të vendeve të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Ishujt Marshall, Gibraltar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahamas, Panamanë dhe Indinë. Më 4 mars, një anije kontejnerësh me flamur të Maltës u godit nga një predhë teksa po përpiqej të kalonte në mes të ngushticës. Sulmi shkaktoi zjarr në dhomën e motorëve dhe ekuipazhi u detyrua ta braktiste anijen. Në një tjetër incident të verifikuar nga Sky News, një anije e menaxhuar nga kompani amerikane, Sonangol Namibe, u sulmua nga një mjet detar pa pilot. Ngjarja ndodhi rreth 30 milje detare në juglindje të bregdetit të Kuvajtit dhe shkaktoi edhe derdhje nafte në det. Ndërkohë, Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) ka paralajmëruar se çdo anije amerikane, izraelite ose evropiane që hyn në këtë zonë mund të bëhet objekt sulmi.
Ndërhyrje në sistemet GPS
Në këtë rajon është regjistruar gjithashtu një rritje e madhe e ndërhyrjeve në sistemet GPS të anijeve. Si pasojë e këtyre ndërhyrjeve, shumë anije shfaqen në hartat e navigimit në pozicione të pasakta ose lëvizin papritur në zona shumë të vogla. Ekspertët thonë se është e vështirë të përcaktohet saktësisht se kush qëndron pas këtyre ndërhyrjeve. Dyshohet se mund të jenë si autoritetet iraniane, ashtu edhe anije të tjera që përpiqen të fshehin lëvizjet e tyre ose të mbrohen nga kërcënimet në zonë.
Ndikimi në transportin global
Tensionet në Ngushticën e Hormuzit kanë ndikuar edhe në transportin global të mallrave. Dy nga kompanitë më të mëdha të transportit detar në botë, Maersk dhe Mediterranean Shipping Company (MSC), të cilat përbëjnë gati 30% të kapacitetit global të transportit me kontejnerë, kanë vendosur të pezullojnë përkohësisht transportin drejt Lindjes së Mesme. Kompania Maersk deklaroi se vendimi është marrë si një masë paraprake për të garantuar sigurinë e ekuipazheve dhe të anijeve. Të dhënat e gjurmimit nga platforma MarineTraffic tregojnë se anija kontejnerësh Maersk Cincinnati ka ndryshuar kurs dhe është larguar nga Ngushtica e Hormuzit. Më 2 mars ajo bëri një kthesë të plotë dhe u drejtua drejt portit Salalah në Oman, ndërsa më 10 mars u nis drejt Gjirit të Kutch. Sipas ekspertit Richard Meade, shumë anije po marrin urdhër të ndryshojnë destinacion ose të kryejnë operacione të tjera. Megjithatë, për anijet që ndodhen tashmë në Gjirin Persik, situata mbetet e vështirë pasi ato janë praktikisht të bllokuara në zonë.



