Tarifat e Presidentit Trump kanë filluar të gjenerojnë një sasi të konsiderueshme parash për qeverinë federale, një burim të ri të ardhurash për një komb të zhytur në borxhe të mëdha, mbi të cilin mund të fillojnë të mbështeten politikëbërësit amerikanë.
Si pjesë e përpjekjes së tij për të riorganizuar sistemin tregtar global, Trump ka vendosur tarifa të larta mbi partnerët tregtarë të Amerikës. Edhe para se të hyjnë në fuqi tarifat e fundit, të ardhurat nga taksat e mbledhura mbi mallrat e importuara janë rritur ndjeshëm deri më tani këtë vit.
Detyrimet doganore, së bashku me disa taksa akcize, gjeneruan 152 miliardë dollarë deri në korrik, afërsisht dyfishi i 78 miliardë dollarëve të mbledhura gjatë së njëjtës periudhë kohore të vitit të kaluar fiskal, sipas të dhënave të Thesarit.
Trump ka përmendur të ardhurat nga tarifat si provë se qasja e tij tregtare, e cila ka mbjellë pasiguri dhe ka filluar të rrisë çmimet për konsumatorët, është një fitore për Shtetet e Bashkuara.
Anëtarët e administratës së tij kanë argumentuar se paratë nga tarifat do të ndihmonin në mbushjen e boshllëkut të krijuar nga shkurtimet e taksave që Kongresi miratoi muajin e kaluar, të cilat pritet t'i kushtojnë qeverisë të paktën 3.4 trilionë dollarë.
“Lajmi i mirë është se tarifat po sjellin miliarda dollarë në SHBA!”, tha zoti Trump.
Me kalimin e kohës, analistët presin që tarifat, nëse lihen në fuqi, mund të sjellin më shumë se 2 trilionë dollarë të ardhura shtesë gjatë dekadës së ardhshme. Ekonomistët shpresojnë me shumicë dërrmuese që kjo të mos ndodhë dhe që Shtetet e Bashkuara të braktisin barrierat e reja tregtare. Por disa pranojnë se një rrjedhë kaq e konsiderueshme të ardhurash mund të jetë e vështirë për t’u hequr dorë.



