Ndihma Mjekësore për Palestinezët (MAP) ka reaguar ashpër ndaj vendimit për mbylljen e kalimeve kufitare të ndihmës drejt Gazës, duke e cilësuar atë si një “akt të paligjshëm të ndëshkimit kolektiv” ndaj popullsisë palestineze.
Reagimi vjen pasi Koordinatori i Aktiviteteve Qeveritare në Territore (COGAT), organ i Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit, njoftoi se të gjitha kalimet me Rripin e Gazës do të mbeten të mbyllura deri në një njoftim të ri, pas sulmeve raketore të Iranit ndaj Izraelit.
Sipas autoriteteve izraelite, masa është ndërmarrë për arsye sigurie dhe përfshin mbylljen e pikave kryesore të kalimit, përfshirë Kerem Shalom dhe Rafah.
Megjithatë, drejtoresha e MAP për Gazën, Fikr Shaltoot, e ka dënuar vendimin, duke deklaruar se ai përbën një formë të ndëshkimit kolektiv dhe një përdorim të papranueshëm të urisë si mjet lufte.
“Pothuajse një mijë palestinezë janë vrarë që nga hyrja në fuqi e të ashtuquajturit armëpushim. Edhe para mbylljes së kalimeve, ndihmat hynin në sasi të kufizuara, duke lënë miliona njerëz në kufirin mes urisë dhe mbijetesës”, tha ajo.
Sipas Shaltoot, mbyllja e kufijve rrezikon të bllokojë furnizime jetike, përfshirë medikamente, karburant, gaz për gatim dhe pajisje të domosdoshme për funksionimin e shërbimeve shëndetësore.
“Spitalet që tashmë përballen me mungesë ilaçesh dhe energjie elektrike do të futen në një krizë edhe më të thellë”, shtoi ajo.
MAP i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë për të garantuar akses të plotë humanitar në Gaza, të mbështesë mekanizmat e llogaridhënies dhe të pezullojë shitjet e armëve që, sipas organizatës, kontribuojnë në përshkallëzimin e krizës.



