Ajo që e bën këtë Asamble të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të ndryshme nga të tjerat është se shumë vende do ta njohin shtetin e Palestinës. Shpresojmë që ky vendim do t’i japë shtysë realizimit të zgjidhjes me dy shtete.
Kështu tha Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në një konferencë për mediat në aeroportin Ataturk të Stambollit, përpara se të nisej për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Erdogan kritikoi ashpër Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se struktura e saj aktuale, e konceptuar 80 vjet më parë, nuk është më e aftë të përmbushë në mënyrë efektive detyrat e saj kryesore.
Mbi të gjitha, fakti që zgjidhja e krizave humanitare lihet në mëshirën e vendeve me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit është i papranueshëm.
Ne e denoncuam këtë realitet të hidhur 12 vjet më parë nga podiumi i OKB-së, duke thënë “Bota është më e madhe se pesë”.
Që atëherë, saktësia e analizës sonë është konfirmuar vazhdimisht. Sot, edhe në nivelin e Sekretarit të Përgjithshëm, urgjenca e reformës së OKB-së njihet hapur. Ne gjithmonë i kemi mbështetur këto përpjekje dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.
Presidenti turk më pas paraqiti përmbajtjen e fjalimit të tij: “Ne do të theksojmë katastrofën humanitare dhe masakrat në Gaza. Do të përqendrohem gjithashtu në përpjekjet e Turqisë për të siguruar stabilitetin në rajon dhe kontributet e saj në paqen ndërkombëtare. Do të kthehemi te çështja e të drejtave të vëllezërve tanë në Republikën Turke të Qipros Veriore. Do të kem mundësinë t’i shpjegoj botës politikën tonë të jashtme.”
Presidenti e quajti pjesëmarrjen e qeverisë së re siriane në Asamble, e çliruar pas 14 vitesh të një periudhe të errët dhe të përgjakshme, “një hap jashtëzakonisht pozitiv”.
Kjo Asamble do të ndihmojë në sjelljen e paqes së qëndrueshme për vëllezërit tanë sirianë, të cilët kanë vuajtur jashtëzakonisht shumë dhe kanë paguar një çmim shumë të lartë për lirinë e tyre.
Erdogan njoftoi gjithashtu se gjatë vizitës do të takohet me shumë krerë shtetesh dhe qeverish, përfshirë Presidentin amerikan Donald Trump dhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.



